E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besoni Barcelonës

Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique ka theksuar se skuadra synon të vazhdojë dominimin e saj në futbollin spanjoll dhe atë evropian. Ai është i lumtur me kalimin në finale të Coppa del Rey, por refuzon të dorëzohet në garë për titull në La Liga, pavarësisht disavantazhit prej shtatë pikëve ndaj Real Madridit. I këshillon të gjithë të kenë besim te Barcelona.

Mbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique ka theksuar se gjiganti katalan është në garë për të gjithë titujt, derisa mundohet t’i afrohet Real Madridit në krye të La Ligas.

Skuadra e Pep Guardiolës u kualifikua në finale të Copa del Rey të mërkurën, pas fitores 2-0 ( rezultati i përgjithshëm 3-1) në ndeshjen e dytë gjysmëfinale ndaj Valencias në Nou Camp.

Barcelona në finale do të ndeshet me Atheltic Bilbaon. Por, në La Liga gjërat qëndrojnë më ndryshe. Reali ka epërsi prej shtatë pikësh ndaj tyre. Megjithatë, kjo nuk zbut optimizmin në kampin katalan.

“Do të japim gjithçka nga vetja”, tha Pique për ueb faqen zyrtare të Barcelonës. “Gjëja më e mirë është kalimi në finale dhe fitimi i të drejtës për të luftuar për këtë trofe të rëndësishëm”, shtoi ai. Pique beson në rikthimin e Barcelonës në La Liga.

“Nëse dikush do të më kishte thënë se do të jemi në këtë pozitë në fillim të sezonit, do të pranoja. Do të luajmë në finale në Copa del Rey, jemi ende gjallë në La Liga si dhe gjendemi në 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve. Ne japim maksimumin çdo javë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Besoni Barcelonës në fund të sezonit. Njerëzit duhet të kenë besim tek ne”, u shpreh ai.

Reprezentuesi spanjoll pranoi se angazhimi në Kampionatin botëror të klubeve ka ndikuar te lodhja e futbollistëve të Barcelonës.

“Angazhimi është i madh. Ju duhet të jeni shumë të fuqishëm, fizikisht dhe mentalisht.

Ne të gjithë kemi marrë pjesë dhe të gjithë ndihemi të rëndësishëm në ekip. Pas kalimit në finale të Copa del Rey, tani kemi një orar pak më të lirë”, vazhdoi ish mbrojtësi i Manchester Unitedit.

Rrugëtimi deri në finale nuk ishte aspak i lehtë për Barcelonën, që në gjysmëfinale u desh ta eliminojë Real Madridin.

“Na është nevojitur shumë punë. Osasuna, Real Madrid dhe Valencia janë të gjitha skuadra të nivelit të Ligës së Kampionëve dhe nevojitet angazhim i madh për t’i mposhtur ata. Sigurisht se do të kërkojmë kupën, por synimi ynë është të fitojmë të gjitha garat. Kemi arritur në tri finale në katër vitet e fundit, do të mundohemi të fitojmë një tjetër titull”, theksoi Pique i cili është i kënaqur që finalja e Copa del Rey nuk do të luhet deri në fund të sezonit në La Liga.

“Është gjë pozitive që do të kemi kohë të përgatitemi për finale. Do ta dimë se jemi një ndeshje larg titullit, andaj kjo na mundëson të jemi më të qetë”, përfundoi Pique.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›