"Bazë për karakter, moral, përvojë për njeri, komb a shtet"
Në një farë mënyre historia është e padrejtë, por njëkohësisht e jashtëzakonshme për nga ndikimi. Një komb jeton 30 shekuj e me gjatë; një njeri jeton 70 vjet e më shumë. Megjithatë,në disa pika një komb duket si njeri; të dy lindin, zhvillohen, sëmuren, vdesin. Kombi ka karakter, mendësi, moral, që shfaqen prej fillimit e zhvillohen nga një epokë në tjetrën, por gjithmonë duke ruajtur cilësitë bazë, që nga prejardhja e deri në ngritje, zhvillim, rënie e rrenim. Ky karakter është përvoja, që dallohet në jetën e një kombi njësoj si në në jeten e një individi.
Legjenda ose miti, thotë R. Barthes, është formë dhe ide. Forma është e ndryshueshme, edhe mund të shkatërrohet. Kjo bën që miti të humbasë besueshmërinë, por jo përjetësinë, sepse idea mbetet.
Historianët thonë se në një farë mënyre, historia i kundërvihet mitit, por vetëm pasi ka marrë ose është ndikuar prej tij.
Kur Romuli, thotë legjenda, mbërriti në luginën mes 7 kodrave, ku sipas profecisë do të ngrinte qytetin e famshëm, ai hapi me parmende një brazdë të thelle përreth dhe e shpalli atë kufirin e vendbanimit të ri. Kush dëshironte të banonte në të, uhej të hynte i paarmatosur. E ardhmja e qytetit varej jo më shumë nga ligji,sesa nga zbatimi i tij nga të gjithë. përfshi Romulin, i cili vrau vëllanë e tij Remin, kur ky nuk pranoi të dorëzonte shpatën. Kush pas kësaj do të merrte guximin qoftë edhe të mendonte se ligji mund të shkelej? Kjo është legjendë, e vërteta e përafërt e supozuar, histori; bazë për karakter, moral, përvojë për njeri, komb a shtet.