Zgjedhjet në Maqedoni, ose të luash me bllof-in
PRAGZGJEDHJET NË MAQEDONI
Gatishmëria për t'ju përgjigjur kërkesës së një partie politike, për zgjedhje të parakohshme, është formë demokratike. Por, në rrethanat dhe kushtet aktuale Maqedonia po luan me bllof-in. Ideja e zgjedhjeve të parakohshme u konsiderua nga faktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë si lëvizje e pastudiuar, e papjekur. Pati edhe europarlamentare që e hodhën grepin duke e nxjerrë ne sipërfaqe ngatërrestarin. Vërejtjet e tyre kishin një adresë: iniciuesi i zgjedhjeve (BDI) u cilësua nga parlamenti evropian si element turbullues dhe si shkaktare e deformimit të realitetit.
Shtrohet pyetja, pse Maqedonia po luan me bllof-in? Shikuar nga plani i brendshëm, vijmë në përfundimin se kostoja do të jetë e madhe në shumë aspekte: ngecje të reformave, projekteve, ligjeve, impakt negativ në ekonominë e vendit, në marrëveshjet e paratifikuara me shtetet fqinje, në psikologjinë e shoqërisë etj. Nuk besohet se Maqedonia ka këllqe të matet ta zëmë me Italisë. Nëse përtej detit Adriatik arena e zgjedhjeve është kthyer ne metodikë 6 mujore apo 1 vjeçare, Maqedonia kurrsesi nuk mund të jetë imituese e kësaj skeme. Janë një mori faktorësh që e bëjnë qesharak shtetin e vogël ballkanas kur provon të adaptojë logjikën italiane apo të një vendi tjetër të pamatshëm me të. Pra, çuditërisht Maqedonia po provon zarin duke e humbur bastin në tavolinë. Pas zgjedhjeve të parakohshme, rendin ato lokalet, ende pa u mbushur mirë me frymë, vijnë ato parlamentare. Pra matematika është e thjeshtë: shoqëria me barkun bosh do t'i vijë në majë të hundës nga zgjedhjet. Sëkëndejmi zhgënjimi i parë dhe me i evidentueshëm vjen pikërisht nga vetë shoqëria.
***
Nxitësit e zgjedhjeve të parakohshme, përveçse si iniciatorë të kësaj ideje (ngërçi) nuk kanë degë ku të kacavirren. Bëhet fjalë për BDI-në, që brenda një periudhë relativisht të shkurtër, i ka provuar të gjitha alternativat për të qenë pjesë e pushtetit. Nuk ka lënë gurë pa lëvizur dhe ujë pa turbulluar. Në fakt është hap i guximshëm prej naivësh: të nxitësh zgjedhje me një ekip të konsumuar për katër vite në pushtet, të jesh bartëse e krimit dhe korrupsionit, të hysh në beteje elektorale pa asnjë reforme partiake, pa platforme, pa vizion, pa alternative dhe me duar bosh, i bie të luash me bllof-in. E në këtë situatë konfuze, rëndon pasi caktohet data e zgjedhjeve, ka mjaft kureshtarë të dinë sesi do të përfundojë epilogu. Pra nuk merren në konsiderate faktorët që na çuan në këtë faze, nuk analizohet përformanca e partive politike dhe nuk mendohet për oferta që më kollaj të behet hesapi. Ndërkaq, në anën tjetër kemi PDSH-në, e cila ka përparësi në kuptimin e ofertës politiko-institucionale.
Gjithsesi, pavarësisht nga tabloja e paraqitur, realisht inicuesit e zgjedhjeve të parakohshme kanë bërë lëvizjen me naive të mundshme: ngulfatjen e procesit, e thënë ndryshe, ndërprerjen e realizimit të prioriteteve që do të vulosnin partneritetin ndëretnik në baza institucionale. Si përfundim, si nga pikëpamja shtetërore, ashtu edhe nga ajo e politikës ditore, Maqedonia luan me bllof-in.