E Diel, 1 Nëntor 2026

Urdhri i Bodes, shoqatat e medias takohen me Topin

 

Bamir Topi priti dje në mesditë në një takim, kryetarë të shoqatave të medias në Shqipëri

Urdhri i fundit i mninistrit të Financave, Ridvan Bode, në të cilin përcaktohen punonjësit e një gazete sipas numrit të faqeve që ajo ka ka indinjuar shoqatat e medias, të cilat gjatë ditës së djeshme kanë realizuar një takim me presidentin Bamir Topi. Armand Shkullaku, Kryetar i Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë, Mero Baze, Kryetar i Forumit Shqiptar për media të lira, Ylli Rakipi, Kryetar i Shoqatës së Gazetarëve të Shqipërisë dhe Aleksandër Çipa, Kryetar i Unionit të Gazetarëve i paraqitën presidentit Topi shqetësimin e tyre lidhur me një urdhër të ministrit të Financave, i cili përcakton numrin e punonjësve të siguruar që duhet të ketë një media e shkruar në raport me numrin e faqeve të saj. Për kryetarët e shoqatave, ky është një qëndrim arbitrar dhe një urdhër i pambështetur në ligj e që cenon misionin e shtypit të shkruar në Shqipëri. Kryetarët e shoqatave u shprehën të hapur për t'u kontrolluar nga shteti, por sipas tyre, për shkak të specifikës së saj si biznes i lirë, një media e shkruar duke mos pasur faqe standarde, mund të punësojë gazetarë apo bashkëpunëtorë sipas fuqisë së saj e jo të përcaktuar paraprakisht. Kryetarët e shoqatave të medias i paraqitën Presidentit shqetësimin se një urdhër i tillë, i pakonsultuar me këtë grup interesi, mund ta penalizojë shtypin në mënyrë selektive. Kryetarët e shoqatave të medias u shprehën se hartimi i një ligji për shtypin e shkruar do të rregullonte aktivitetin e tyre duke shmangur urdhëra të tillë. Pasi dëgjoi me vëmendje shqetësimet e tyre, Presidenti i Republikës u shpreh se do e ndjekë me kujdes këtë çështje nëpërmjet stafit të tij, por edhe takimeve të punës, për të gjetur një ekulibër logjik në zbatimin e ligjit në mënyrë. Vlerësimi si arbitrar i këtij urdhri të Bodes për median nga shoqatat, ka bërë që Ministria e Financave të reagojë me anë të një deklarate ku bën të ditur se "ky urdhër përcakton thjesht një metodologji dhe referencë pune për organet tatimore. Ky urdhër nuk përbën një akt nënligjor dhe nuk publikohet në Fletoren Zyrtare, por është thjesht një komunikim administrativ i ministrit të Financave, sipas kompetencave që i jep Kushtetuta.Kushdo nga organet tatimore që ka nxjerrë apo përdorur këtë urdhër si presion ndaj medias, do të verifikohet dhe ngarkohet me përgjegjësinë e duhur ligjore. Ministria e Financave përfiton nga rasti të shprehë gatishmërinë për bashkëpunim me çdo media në funksion të mirëkuptimit të përbashkët për zbatimin e ligjeve në fuqi".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›