E Diel, 1 Nëntor 2026

Godet të atin me sopatë, vuante nga probleme mendore

Policia: Kurohej me medikamente, por ka reaguar dhunshëm. Mjekët: Pacientët të paparashikueshëm, ja procedura për shtrim


GRAMSH - Djali 28-vjeçar ka vrarë babanë duke e goditur me sopatë në kokë. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në një vend në afërsi të shtëpisë së tyre në fshatin Lilë të komunës Kukër në rrethin e Gramshit.


Burime të policisë konfirmuan se është arrestuar 28-vjeçari Avni Lila, i cili dyshohet si autori i vrasjes nëpërmjet goditjes me sopatë të babait të tij 76-vjeçar Halim Lila. Banorë të zonës kanë zbuluar krimin pak kohë pas ngjarjes dhe kanë lajmëruar policinë.


Të mbërritur në fshat, agjentët kanë vërtetuar nëpërmjet dëshmive, se si autor dyshohej i biri i cili vuante prej çrregullimeve mendore. Ata e kanë gjetur në shtëpi të riun në gjendje të shqetësuar dhe e kanë shoqëruar në komisariat.


Nga të dhënat e mësuara nëpërmjet të afërmeve, 28-vjeçari kurohej për shkak të problemeve mendore dhe mbahej në shtëpi nga i ati, edhe pse kishte shfaqur shqetësime. Ai i ishte nënshtruar vizitave të psikiatrit dhe medikamenteve, por duket se kjo gjë nuk ka mjaftuar për të ndalur krimin.


Dyshohet se një grindje me të atin ka bërë që djali të marrë sopatën e ta godasë në kokë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Në këtë kohë nuk ka pasur njerëz afër që të ndërhynin dhe vdekja e të moshuarit nga sulmi i të birit ka qenë e paevitueshme.


Pasi është konstatuar ngjarja, agjentët kanë prangosur 28-vjeçarin që akuzohet për vrasje deri në sqarimin e plotë të gjendjes së tij psikike. Ndërkohë mësohet se janë gjetur medikamentet që përdorte djali i viktimës dhe është konfirmuar se ai ishte i sëmurë kronik.


Mjekët thonë se rastet me probleme mendore trajtohen fillimisht nëpërmjet një vizite nga mjeku psikiatër i rrethit të Gramshit i cili lëshon edhe raportin për shtrimin ose recetën me ilaçe. Në rastin kur një pacient është rast për shtrim atëherë u kërkohet familjarëve ta dërgojnë në spital. Kur nuk pranon me vullnetin e tij, atëherë dërgohet me forcë nëpërmjet policisë.


Pas kontrollit në urgjencën e spitalit psikiatrik, pacienti shtrohet dhe mjekohet nga mjekët. Kur stabilizohet dhe familjarët kërkojnë që ta marrin në shtëpi, atëherë mjeku lëshon urdhrin e daljes duke e shoqëruar me medikamentet dhe kurat në shtëpi. Janë prindërit dhe familjarët ata që kujdesen që pacienti t'i marrë medikamentet.


Në rast të harresës atëherë mund të ketë edhe pasoja, të cilat reflektohen në reagime të dhunshme që bien mbi familjarët e të sëmurit, si në rastin në fjalë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›