E Diel, 1 Nëntor 2026

Bebet ‘in vitro’, sukses në 35 për qind të rasteve

Vetëm 30 për qind e çifteve që i nënshtrohen procedurës "In Vitro" në vendin tonë, arrijnë të bëhen me fëmijë. Ky është një prej përfundimeve në të cilin ka arritur një studim i Institutit të Shëndetit Publik. Në të u përfshinë 246 çifte që kishin probleme me lindjen e një fëmijë e që ishin paraqitur pranë një prej klinikave që mundësonin këtë shërbim në periudhën kohore 2006-2012. Pas përpunimit të të dhënave rezultoi se mund të mbeteshin shtatzënë vetëm 45 për qind e çifteve, ndërkohë që ndër to, shkalla e lindjeve të gjalla ishte 67.3%. Në total shkalla e abortit përllogaritet në masën 14.7 për qind, çka do të thotë se këto gra nuk mund ta çonin deri në fund shtatzëninë e tyre. Sa i takon numrit të fëmijëve të lindur, 3.9% e çifteve kanë arritur të lindin binjakë, ndërsa 2.6% e tyre trinjakë. Sipas të dhënave në studim, gratë që mbeteshin shtatzëna i përkisnin moshës nën 35 vjeç, ishin me arsim të lartë dhe gratë të klasifikuara me shterpësi primare. 

Problematika
Sipas autorëve të studimit, gjetjet tregojnë se shtatzënia dhe numri i lindjeve të gjalla pas procedurës "In Vitro" në vendin tonë janë të krahasueshme me ato të vendeve të zhvilluara. Megjithatë, sipas tyre, në të ardhmen, informacioni në lidhje me procedurat e fertiliziminit "In Vitro" dhe rezultatet e tyre në Shqipëri duhet të jetë më i plotë dhe i saktë në mënyrë që të sigurojë cilësinë e shërbimeve, ndërsa do të ndihmojë për të përmirësuar rregulloren e këtij sektori. Qëllimi i këtij studimi ishte marrja e informacioneve në lidhje me rezultatet e "In Vitro", procedurat e fekondimit dhe faktorët që lidhen me shtatzëninë dhe lindjet e realizuara pas saj, në mënyrë që të hidhet dritë mbi këtë temë pak të njohur dhe të hulumtuar në Shqipëri.
Shifrat
Edhe pse në vendin tonë ende nuk ka një studim mbarëkombëtar lidhur me përqindjen e fertilitetit, disa studime dhe të dhëna nga mjekët obstetër gjinekologë tregojnë se rreth 12% e çifteve kanë probleme për sa i përket lindshmërisë. Ndërkohë që, në Tiranë në vitet 2004-2012 numërohen kërkesa nga 33.304 çifte, prej të cilave 497 kanë përfituar shtatzëni të konceptuar me metodat e fertilitetit, të ndihmuar medikalisht në klinika private në vend, por edhe jashtë.

Bebe "In Vitro", edhe në shtet
Çiftet që kanë probleme me lindshmërinë e një fëmije do të kenë mundësi të përfitojnë në maternitetet shtetërore nga metodat e fekondimit artificial. Kjo, në sajë të projektit "Mjekësia e së ardhmes: ngritja e një rrjeti qendrash ndërkufitare mbi riprodhimin e asistuar dhe mjekësinë rigjeneruese në zonën e Adriatikut", i maternitetit "Koço Gliozheni" dhe i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian. Në sajë të tij, do të bëhet e mundur që për herë të parë në maternitetet publike shqiptare të krijohet infrastruktura e nevojshme për zbatimin e procedurave të fertilitetit të ndihmuar medikalisht, që sot është i mundur të realizohet vetëm në klinikat private brenda apo jashtë vendit. Tashmë është bërë trajnimi i personelit dhe pritet që në fund të vitit ky shërbim të jetë gati. Ai do të jetë falas për personat që paguajnë sigurime shëndetësore. 

(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›