E Diel, 1 Nëntor 2026

Beçaj-Gaiani: Barazia para ligjit, sfida jonë e përditshme

Kryetarja e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë Znj. Shpresa Becaj është takuar sot me Ambasadorin e Republikës së Italisë, Massimo Gaiani, i cili sapo është emëruar në këtë detyrë, si përfaqësues diplomatik në Tiranë.
 

Nga ana e tij Gaiani ka shprehur konsideratat e tij më të larta për Gjykatën e Lartë të Shqipërisë, duke vlerësuar rëndësinë e këtij isntitucioni si dhe punën e deritanishme të Beçaj dhe anëtarëve të tjerë të kësaj gjykate. Sipas Ambasadorit Italian në Tiranë marrëdhënia miqësore që ka Shqipëria dhe Italia prej shumë vitesh, ka bërë të mundur bashkëpunimin e ngushtë dhe të vazhdueshëm, mes dy vendeve në fushën e drejtësisë. Raportet e besimit, vlerësimit dhe bashkëpunimit dypalësh, sipas Z. Gaiani, janë mjaft dobiprurëse, pasi ato krijojnë një urë lidhëse për Shqipërinë në kuadër të përafrimit të saj me standardet europiane.
 

Ndërsa Beçaj e ka falenderuar Ambasadorin e ri të Italisë për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme që shteti dhe homologët Italianë i kanë dhënë gjithmonë drejtësisë shqiptare, duke u shprehur se ky bashkëpunim mbi të gjitha është në shërbim të qytetarëve, të cilët duhet të krijojnë besim e nevojshëm në organet e drejtësisë. Kryetarja e Gjykatës së Lartë ka theksuar se miqësia mes dy vendeve fqinje nuk mbetet vetëm në kuadër të afërsisë gjeografike, por ajo shkon edhe më tej, duke përmenduar ndihmën dhe mbështetjen që populli Italian i ka dhënë popullit shqiptarë edhe në kohë të vështira.
 

Beçaj gjithashtu shprehu konsideratat e saj mbi vizitën e dy viteve më parë të delegacionit të Gjykatës së Kasacionit në vendin tonë duke ndarë të njëjtin mendim me Ambasadorin Italian në Tiranë se, gjyqësori në të gjitha vendet e botës duhet të garantojë drejtësi të barabartë për të gjithë duke luftuar fenomenet të tilla si korrupsioni dhe kriminaliteti, të cilat ndikojnë negativisht mbi sistemin gjyqësor.
 

Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se kjo është sfidë e përditshme e cila kërkon kohë dhe angazhim të përbashkët maksimal të të gjithë qytetarëve, institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile, ndërsa shprehën vullnetin jo vetëm për të çuar përpara marrëdhënet dypalëshe mes sistemeve gjyqësore të të dyja vendeve, por edhe në kuadër të ndihmës së instrumentit I.P.A. të financuar nga Bashkimi Evropian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›