Totozani: Zgjidhje të shpejtë të problemeve të komunitetit rom

Avokati i Popullit Igli Totozani është shprehur sot se 8 familjet rome të strehuara në institucionin që ai përfaqëson do të qëndrojnë aty deri sa t`i jepet një zgjidhje problemit të tyre. Në një prononcim për mediat pas takimit me ambasadoren zviceriane Yvana Enzler, Totozani theksoi se shpreson në një zgjidhje të shpejtë të problemeve të strehimit për familjet rome.
“Shpresoj për një zgjidhje sa më të shpejtë të problemeve të tyre. Kam një infomacion që gjërat kanë nisur të lëvizin, por ende nuk ka asgjë konkrete. Këta njerëz janë këtu dhe këtu do të rrinë derisa të zgjidhet probleme i tyre” ka shtuar Totozani ndërsa ka shtuar se institucioni i Avokatit të Popullit do të mirëpresë çdo person që ka nevojë.
Nga ana e saj ambasadorja zviceriane Yvana Enzler ka kërkuar angazhimin e qeverisë shqiptare për zgjidhje afatgjate për komunitetin rom. “Qeveria duhet të mbështesë atë që ka nisur Avokati i Popullit dhe të gjendet zgjidhje afatgjate për komunitetin romë” ka theksuar ambasadorja.
Ndërkohë që prej ditës së djeshme 8 familje rome kanë ngritur çadrat në oborrin e Avokati të Popullit ndërsa gratë e fëmijët janë strehuar në ambjentet e brendshme të këtij institucioni pasi u dëbuan nga pronari i tokës në zonën e Tufinës në kryeqytet.