E Diel, 1 Nëntor 2026

Beçaj: Gjyqësori, sfidë mbetet mbrojtja e pavarësisë

Tiranë- Sfida e drejtësisë mbetet mbrojtja e pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe gjyqtarëve. Sfida jonë orientohet në pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe gjykatave, në mënyrë që ata të respektojnë ligjin në mënyrë të ndershme dhe të paanshme. Në këtë frymë duhet të orientohet edhe puna e institucioneve gjyqësore.

Ka qënë kjo deklarata e kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj në konferencen dy ditore të Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore e Lindore. Konferencë e cila ka në fokus problematiken dhe çështjet e gjyqësorit dhe sistemit të drejtësisë në tërësi.

Gjatë fjalës së tij presidenti Bamir Topi,  njëherësh edhe kryetar i këshillit të Lartë të Drejtësisë tha se presioni dhe imponimi i ushtruar në vendimmarrje janë ndër vështirësitë me të cilat ballafaqohet drejtësia. Dhe pavarësia e sistemit gjyqësor është ndër shtyllat kryesore ku bazohet shteti i së drejtës.

Sipas presidentit standartet e duhura në gjyqësor kërkojnë përpjekje nga të gjithë aktorët dhe sistemi ynë i drejtësisë ka nevojë për permisime.

‘Puna e gjyqtari është e bukur por e vështirë, duhet të mësojmë të respektojmë funksionin e gjyqtarit. Gjykata e Lartë e vetmja që gjykon drejtësinë në vend. Krijimi të kushteve që të jepet një vendim sa më i drejtë. Reformat i dhanë një dimension të ri sistemit të drejtësisë. Sistemi gjyqesor për tu ardhur në ndihmë qytetarëve’- tha Topi.

Ndërkohë i pranishëm në këtë konferencë ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu tha se të gjithë duhet të jenë të barabartë përballë gjykatave. ‘Transparenca ndërton besimin në sistem. Asnjë hetim sështë i suksesshëm pa hequr imunitetin. Gjyqtarët nuk duhet të jenë mbi ligjin. Transparenca është e nevojshme për një drejtësi efektive. Drejtësia efektive kërkon pavarësi të gjyqesorit’- tha Arvizu.

Konferenca e Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore e Lindore është nismë e Institutit CEELI, me seli në Pragë, por duke parë interesimin dhe përfitimin e vendeve pjesëmarrëse prej saj, kryetarët e Gjykatave të Larta të 14 shteteve vendosën unanimisht që kjo konferencë të organizohet çdo vit në një nga vendet pjesëmarrëse. Në mbështetje të këtij vendimi Shqipëria është vendi i parë që çel punimet e kësaj Konference dyditore (14-16 maj).

Në Konferencë marrin pjesë Kryetarët e Gjykatave të Larta të Shqipërisë, Azerbajxhanit, Kroacisë, Republikës Çeke, Gjeorgjisë, Hungarisë, Kosovës, Letonisë, Lituanisë, Maqedonisë, Moldavisë, Malit të Zi, Sllovakisë, Ukrainës dhe gjyqtarë e juristë të shquar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›