E Diel, 1 Nëntor 2026

Të hetohen gjykatësit, nuk mund të jenë mbi ligjin

Tiranë- Nëse edhe në këtë vend drejtësia të funksionojë dhe opinioni i publikut për gjykatat të përmirësohet atëherë duhet të zhvishen nga imuniteti, gjykatësit nuk duhet të jenë mbi ligjin. Kështu deklaroi Ambasadori Amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, gjatë konferencës gjyqësore rajonale në Tiranë ku merrnin pjesë kryetarë të gjykatave të larta nga 14 vende të ndryshme.

Dua te prek nje çeshtje qe nuk e di ne vendet tuaja a eshte cekur por qe ne Shqiperi eshte nje çeshtje problematike, pra eshte çeshtja e imunitetit gjyqesor. Ne kete vend dhe ndoshta ne disa prej vendeve tuaja, gjyqtaret, parlamentaret dhe zyrtaret e tjere te larte gezojne nje imunitet shume te gjere. Jo vetem prej ndjekjes penale por edhe te qenit i hetuar. Asnje hetim nuk mund te zhvillohet perderisa nuk eshte hequr imuniteti, duke shkaterruar keshtu fshehtesine e nevojshme per hetime te suksesshme penale. Nese deshironi te permisoni perceptimin e publikut per gjyqesorin atehere gjyqtaret nuk duhet te jene mbi ligjin, qe do te thote veçanerisht mbi ligjin penal- deklaroi ambasadori amerikan.

Duke nënvizuar: ‘Transparenca ndërton besimin në sistem. Asnjë hetim sështë i suksesshëm pa hequr imunitetin. Gjyqtarët nuk duhet të jenë mbi ligjin. Transparenca është e nevojshme për një drejtësi efektive. Drejtësia efektive kërkon pavarësi të gjyqesorit’.

Gjatë fjalës së tij presidenti Bamir Topi,  njëherësh edhe kryetar i këshillit të Lartë të Drejtësisë tha se presioni dhe imponimi i ushtruar në vendimmarrje janë ndër vështirësitë me të cilat ballafaqohet drejtësia. Dhe pavarësia e sistemit gjyqësor është ndër shtyllat kryesore ku bazohet shteti i së drejtës.

Sipas presidentit standartet e duhura në gjyqësor kërkojnë përpjekje nga të gjithë aktorët dhe sistemi ynë i drejtësisë ka nevojë për permisime.

‘Puna e gjyqtari është e bukur por e vështirë, duhet të mësojmë të respektojmë funksionin e gjyqtarit. Gjykata e Lartë e vetmja që gjykon drejtësinë në vend. Krijimi të kushteve që të jepet një vendim sa më i drejtë. Reformat i dhanë një dimension të ri sistemit të drejtësisë. Sistemi gjyqesor për tu ardhur në ndihmë qytetarëve’- tha Topi.

Ndërsa në fjalën e saj kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj në konferencen dy ditore të Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore e Lindore tha se ‘sfida e drejtësisë mbetet mbrojtja e pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe gjyqtarëve. Sfida jonë orientohet në pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe gjykatave, në mënyrë që ata të respektojnë ligjin në mënyrë të ndershme dhe të paanshme. Në këtë frymë duhet të orientohet edhe puna e institucioneve gjyqësore’.

‘Korrupsioni dhe dobësia e institucioneve trajtohen si probleme kryesore që rrjedhin nga sistemi i drejtësisë…mungesa e reformave ligjore dhe buxhetet e pamjaftueshme krijojnë efekte të drejpërdrejta në sherbimet ndaj qytetarëve…’- tha Beçaj.

Konferenca e gjyqtarëve u përshendet edhe nga kreu i qeverisë, Sali Berisha i cili tha se vendimet e drejta të gjyqtarëve dhe pa zbatimin e tyre s’ka shtet ligjor.

‘Ju keni bërë drejtësi… Paqja nuk ka të kundërt luftën , por mungesën e drejtësisë. Nuk mund të ketë shtet ligjor pa vendimet tuaja të drejta dhe zbatimin e tyre- tha Berisha duke shtuar se gjyqtarët kanë bërë të mundur që vendi sot të ketë një sistem drejtësie të respektuar, depolitizuar dhe të përgjegjshëm.

Konferenca e Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore e Lindore është nismë e Institutit CEELI, me seli në Pragë, por duke parë interesimin dhe përfitimin e vendeve pjesëmarrëse prej saj, kryetarët e Gjykatave të Larta të 14 shteteve vendosën unanimisht që kjo konferencë të organizohet çdo vit në një nga vendet pjesëmarrëse. Në mbështetje të këtij vendimi Shqipëria është vendi i parë që çel punimet e kësaj Konference dyditore (14-16 maj).

Në Konferencë marrin pjesë Kryetarët e Gjykatave të Larta të Shqipërisë, Azerbajxhanit, Kroacisë, Republikës Çeke, Gjeorgjisë, Hungarisë, Kosovës, Letonisë, Lituanisë, Maqedonisë, Moldavisë, Malit të Zi, Sllovakisë, Ukrainës dhe gjyqtarë e juristë të shquar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›