Beçaj dhe Spahiu, pro mbledhjes së gjyqtarëve pa ligj
Kryetarja e Gjykatës së Lartë dhe nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë kanë rënë dakord për mbledhjen e Konferencës Gjyqësore, megjithëse ligji në fjalë nuk është dërguar në qeveri. Beçaj tha dy ditë më parë për gazetën se vazhdon të ketë të njëjtin mendim personal, siç edhe e ka shprehur më 5 dhjetor të vitit të kaluar, ku 1/3 e gjyqtarëve u mblodh për të diskutuar problemet e gjyqësorit. Ndërsa zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, ka ftuar komunitetin e gjyqtarëve të gjejnë zgjidhje për Konferencën Gjyqësore, pasi KLD-ja po shkon drejt paralizimit, sepse pesë prej anëtarëve të saj u ka mbaruar mandati, kur edhe projektligji i Konferencës Gjyqësore ende nuk ka shkuar në qeveri e më pas në Komisionin e Ligjeve e në Kuvend. Tashmë është parë e udhës që gjyqtarët të vendosin vetë për fatin e tyre, pasi mazhoranca dhe legjislativi ende nuk kanë gjetur ndonjë zgjidhje. Përpos këtyre deklaratave inkurajuese nga Beçaj dhe Spahiu, ende ka oponenca nga radhët e gjyqësorit, teksa Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve mendon se më parë duhet të krijohet ligji dhe pastaj të mblidhet konferenca, sepse të gjitha vendimet mund të shpallen antikushtetuese.
#