Blushi: Vendimi i Kryesisë i vë në rrezik zgjedhjet në PS
Transparenca e zgjedhjeve duket se nuk është më vetëm problem i Sali Berishës me Shqipërinë, por edhe i Partisë Socialiste me bazën e vet. Një ditë pasi Kryesia e selisë rozë ka miratuar kandidaturat që do të garojnë për degët në rrethe, anëtari Ben Blushi ka akuzuar hapur lidhur me procedurat e ndjekura në zgjedhjet e brendshme në parti. “Nuk isha vetëm unë që dola nga kjo mbledhje kryesie me një shije të hidhur. Një vendim arbitrar i kryesisë, i cili jam i bindur se i vë zgjedhjet në rrezik. Në qoftë se i kërkojmë qeverisë që të bëjë zgjedhje të rregullta dhe të ndershme, si mund të mos bëjmë të njëjtën gjë për Partinë Socialiste. Unë u kërkoj të gjithëve në mënyrë demokratike që të bëjnë presion në rrethet ku janë, që në mënyrë publike pa asnjë lloj droje të regjistrohen, pra u jepet mundësia për të zgjedhur, apo dhe për të humbur”, deklaroi deputeti Blushi. Ky është rasti i parë publik ku denoncohet procesi përzgjedhës i kandidaturave për degët e rretheve, që është paralajmëruar si delikat, për shkak të specifikave lokale që ai bart. Në këtë kuadër kritika me sens denoncues e Ben Blushit priret të bëjë zëdhënien e pakënaqësive që janë grumbulluar në procesin e përzgjedhjes së kandidaturave, që sidoqoftë në çdo rrethanë është shumë i brishtë. Ajo që bën përshtypje në këtë deklarim të ri të deputetit socialist, njëkohësisht drejtues i Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, është thirrja për “rezistencë” në bazë, duke nxitur kështu një reaksion të organizuar ndaj ekipit drejtues të Partisë Socialiste. Përndryshe, Blushi ka paralajmëruar për humbje të kohezionit të partisë, apo siç mund të thuhet ndryshe një përçarje të re, që edhe pse e painstitucionalizuar mund të dëshmojë efektet e veta në zgjedhjet lokale të 2011-s. “Unë dua t’u bëj thirrje sot të gjithë këtyre kandidatëve, në të gjitha anët e Shqipërisë që të reagojnë. I kërkoj PS-së që t’i përfshijë në listën e votimit, t’u japë mundësi të zgjidhen apo të humbin, por në fund të fundit t’u japë mundësinë që ky të bëhet një proces demokratik. Nëse zgjedhjet e ditës së diel zhvillohen siç u vendos në Kryesi, duke përjashtuar nga lista një numër të madh anëtarësh, PS-ja nuk do të ketë stabilitet dhe kohezioni i saj i brendshëm rrezikohet. Janë hequr më shumë se 100 kandidatë nga lista”, tha Blushi. Por një kritikë e fortë është adresuar prej tij edhe për sa i përket politikës së bojkotit të ndjekur për thuajse një vit e për të cilën analiza e anëtarit të Kryesisë lexon vetëm një rezultat: zero. “Bojkoti ishte një instrument i pavlefshëm, i cili nuk e forcoi Partinë Socialiste, përkundrazi e përçau atë, e dobësoi dhe prishi imazhin e saj ndërkombëtar”, shtoi ai. Por ajo që ka theksuar ndarjen mes tij dhe Edi Ramës, e paqartë deri më tani për shkak të heshtjes së gjatë të Blushit, është dyshimi që ky i fundit ka nxitur për sa i përket aftësisë së kryetarit të PS-së për të garuar dhe fituar përballë Sali Berishës. Në mesazhin ndoshta të parë populist drejtuar bazës, deputeti socialist ka deleguar besimin e tij te kuraja e anëtarësisë së PS-së për të fituar ndaj Berishës, kurajë e cila sipas tij po zbehet nga personi i Edi Ramës. “Nëse Rama ka frikë se humb në zgjedhjet lokale, këtë problem nuk e kanë 60 mijë anëtarët e tjerë të Partisë Socialiste. Ka 60 mijë anëtarë të PS-së që e dinë sesi fitohet, sepse e kanë mundur Sali Berishën edhe kur Rama nuk ishte kryetar i PS-së. Dhe sot Edi Rama po u kthehet atyre kundër dhe po i pengon ta mundin Sali Berishën”, tha Blushi.
#