Bechtel Enka ndërton edhe autostradën kosovare
PRISHTINë- Bechtel Enka është firma fituese e tenderit për ndërtimin e autostradës Morinë-Prishtinë-Merdar, në Kosovë. Bechtel Enka kompania amerikano-turke, e njëjta që ka ndërtuar edhe autostradës, Durrës-Kukës-Morinë, në Shqipëri u shpall fituese pasi oferta e saj u miratua nga Komiteti Ndërministrir. Lajmi është konfirmuar edhe nga vetë Ministri i Transporteve dhe Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, edhe pse nuk ka bërë publike koston e autostradës që do ta përshkojë Kosovën. Sipas një vlerësimi të përafërt, kostoja e projektit do të jetë rreth 700 deri në 800 milionë euro. Ndryshe, autostrada Morinë-Prishtinë-Merdar, ka një gjatësi prej 117 kilometrash. Sipas të dhënave të ministrisë, traseja e autostradës parashihet të kalojë në tetë komuna dhe me asfalt do të mbulohen 1.062 hektarë tokë. Kompanitë që kanë ofertuar për ndërtimin e kësaj rruge janë: kompania "Alpine" nga Austria, konzorciumi amerikano turk "Bechtel Enka", që e ka ndërtuar edhe autostradën Durrës-Morinë, pastaj kompania "Makyol" nga Turqia, "Pizzaroti" nga Italia, "Porr" dhe "Strabag" nga Austria dhe "Terna" nga Greqia. Nga te gjitha kompanitë që kanë konkuruar, vetëm dy kanë dhënë ofertë financiare, Bechtel me 600 milionë euro dhe Strabag me një miliardë euro.(m.a/BalkanWeb)