Kuvend, nis seanca e jashtëzakonshme për përmbytjet
TIRANE- Ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit për përmbytjet në veri të vendit. Socialistët vendosën dje në Asamblenë Kombëtare të mos marrin pjesë në këtë seancë. Kreu i PS Edi Rama tha se opozita do të vazhdojë të jetë në protesta në sheshe me një arsye më shumë për largimin e qeverisë e cila sipas tij është përgjegjëse edhe e përmbytjeve në Shkodër dhe Lezhë. Deputetët e opozitës nuk marrin pjesë në punimet e Kuvendit që nga shtatori i vitit që shkoi, prej fillimit të legjislaturës së re, duke kërkuar hapjen e kutive të votimit të 28 qershoritt me pretendimin se brenda tyre ka një rezultat tjetër nga ai i shpallur. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u shpreh për median se pas kërkesës së deputëteve të opozitës për të pasur të hënën një seancë të jashtëzakonshme për emergjencën në Shkodër, konferenca vendosi t’i përgjigjet pozitivisht kësaj kërkese duke afruar seancën e parashikuar për ditën e enjte, për ditën e hënë dhe duke vendosur në rend dite vetëm çështjen e situatës së emergjencës civile në qarkun e Shkodrës. Me refuzimin që PS po i bën seancës, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli tha se opozita po manipulon politikisht situatën e fatkeqësisë së përmbytjeve çka, ajo e quan, fund të moralit politik të saj. Per mese dy jave ne fund, në fillim të këtij viti përmbytje të mëdha patën komunat e qarkut të Shkodrës, si rezultat i reshjeve të shumta të shiut dhe shkarkimeve nga hidrocentralet e kaskadës së lumit Drin. Për pasojë u përmbytën rreth 11.400 hektarë tokë dhe rreth 2500 shtëpi Aktualisht në këtë zonë, si rezultat i motit të thatë uji po tërhiqet nga një pjesë e territorit të përmbytur ndërsa tani pritet përllogaritja e dëmeve nga kjo fatkeqësi natyrore. (e.n/BalkanWeb)