E Diel, 1 Nëntor 2026

Befasi korçare, gati kontrata për Vajushin

SHKRUAN: Irena Vreto 23-08-2011 11:50

Skënderbeu dëshiron të jetë një nga ekipet më të mira të kampionatit të ri dhe kjo e bën më konkurues në merkato duke tentuar të tërheqë drejt vetes emrat më të mirë aktualisht në futbollin shqiptar. Befasia e radhës është talenti shkodran, Armando Vajushi, ndërsa nga burime të mirë informuara të gazetës “Mapo” mëoshet se ka shumë gjasa që futbollisti të pranojë të luajë me këtë ekip. Pas humbjes në finalen e Superkupës gjatë të enjtes së kaluar, drejtuesit korçarë të klubit të futbollit, janë duke menduar të bëjnë të tjera prurje në ekip. Sipas tyre këto hyrje janë shumë të domosdoshme edhe për atë se nga njër anë stoli është i paktë në numër, ndërkohë që janë vërejtur probleme në grup. Një humbje me Pogradecin në një miqësore dhe më pas ajo në Superkupë kundër Tiranës po në shtëpi, kanë dhënë alarmin në radhët e korçarëve. Në këto kushte në 48 orët e fundit mësohet se kërkimet për një sulmues janë përqëndruar në kampionatin shqiptar. Aktualisht është duke u lakuar një nga telentet e reja të futbollit shkodran. Bëhet fjalë për Armando Vajushin, të cilin juglindorët kërkojnë të sjellin në Korçë. Nga të njëjtat burime të mirëinformuara pranë klubit të futbollit, mësohet gjithashtu se lojtarit i është bërë oferta për të dhënë shërbimet e tij për një sezon të plotë me Skënderbeun. Ende nuk ka asnjë përgjigje, por bisedimet vazhdojnë mes palëve. Në fakt Vajushi është një lojtar me shumë vlerë, që nga ana tjetër do t’i bënte shumë punë korçarëve. Nëse do të arrihet që ky futbollist të vijë në Korçë, vija e parë e sulmit për juglindorët do të jetë super e blinduar. Pas ardhjes së Danjel Xhafajt korçarët u qetësuan përsa i përket këtij reparti, që gjatë sezonit të kaluar i ka munguar lojtari-gol ose e thënë ndryshe sulmuesat. Golat ndonëse nuk kanë munguar kanë ardhur nga mesfushorët e përshtatur në sulm, ndaj në këtp kushte gjatë kësaj merkatoje i është vënë një rëndësi e madhe afrimit të sulmuesve të mirëfilltë. Sigurish Danjel Xhafaj është një përjashtim në vlerat që ka pasi është një nga lojtarët më të mirë në superioren shqiptare, por afrimi dhe i një tjetër lojtari në këtë repart do t’i blindonte korçarët e futbollit. Gjithsesi dalja në skenë e emrit të Vajushit do të thotë se korçarët janë të bindur në objektivin e tyre për të mbrojtur titullin e kampionëve të vendit. Duke iu referuar të njëjtave burime të gazetës mësohet gjithashtu se pritet një përgjigje përfundimatre nga lojtari që ka shumë gjasa të pranojë të veshë fanellën e Skënderbeut. Ka qënë trajneri Duro që i ka kërkuar këtë futbollist presidentit Zeqo dhe ky i fundit është treguar shumë i gatshëm ta ketë dhe këtë sulmues në dobi të Skënderbeut.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›