Mata te Çelsi, spanjolli firmos për 30 mln euro
Vilas Boash bën një tjetër goditje duke sjellë në Londër fantazistin spanjoll të Valencias
Çelsi ka bërë një tjetër goditje në merkato, duke blerë nga Valencia sulmuesin spanjoll Huan Manuel Mata. Lajmi është konfirmuar nga klubi i Primirea Division, që ka pranuar ofertën e skuadrës angleze. "Valencia ka arritur një marrëveshje me Çelsi për tranferimin e futbollistit Huan Manuel Mata. Tani lojtari është i lirë për t’iu nënshtruar testeve mjeksore dhe për të njënshkruar kontratën e tij të re”, lexohet në njoftimin për shtyp të Valencias. Të dy klubet nuk kanë dhënë detaje financiare sa i përket këtij operacioni në merkato, por sipas mediave spanjolle, Çelsi ka paguar 30 milionë euro për të patur shërbimin e sulmuesit 23-vjeçar. Mata është cilësuar si një nga futbollistët më të talentuar spanjoll të viteve të fundit, ndërsa spikati kur luajti për herë të parë me Valencian në sezonin 2008. Që nga ajo kohë, lojtari ka qenë objekt i merkatos për shumë skuadra të mëdha të Europës, por vetëm pas 3 vjetësh në kampionatin spanjoll ai do të nisë një aventurë të re në Premier Ligë.
Huan Manuel Mata është blerja e dytë brenda një jave për Çelsin, që pak ditë më parë zyrtarizoi sulmuesin belg Romelu Lukaku. Me këto tranferimi Çelsi kërkon të rikthehet fitues në kampionatin anglez dhe në Ligën e Kampioneve, ndërsa në këtë sezon trajneri Andres Vilas Boash pretendon të rinovojë skuadrën, duke u mbështetur te lojtarët e rinj në moshë.