E Shtunë, 31 Tetor 2026

Befasia e paradokseve poetike



Halit Shamata e jeton të përditshmen si një paradoks estetik. Poezia e tij është e bukur e befasuese, sepse buron nga raportet që ai ka me mjedisin dhe veten, raporte thellësisht estetike, gjithnjë në lëvizje drejt zbulimit të paradokseve. Në këtë lëvizje, poeti kujdeset që të zbulojë relacione të reja me objekte jashtë dhe brenda vetes. Poezia e tij nuk është aspak e kërkuar, por krejt e rastësishme. Ka një poezi ky autor që më kujton një skicë poetike të Oscar Wilde-it. Në skicën e Wilde-it njeriu tregon se shërbeu të sëmurët, shërbeu të varfërit, shërbeu të braktisurit, shërbeu të dobtit, por askush nuk u kujtua t’i jepte dorën e fundit drejt lavdisë së amëshuar, kryqëzimit. “Tani po pres të vijnë dhe të më kryqëzojnë, por askush s’po vjen.”, përfundon skica e shkrimtarit të famshëm... Poeti Halit Shamata e ndërton këtë poezi nga këndvështrimi i njeriut me këmbët krejt në tokë, njeriut që i trembet edhe vuajtjeve të padrejta, pra kryqëzimit si simbol të këtyre vuajtjeve, të cilat për hir të së vërtetës i ka provuar, i trembet edhe lavdisë së qiellit, ndoshta sepse ndihet më mire në tokë, midis paradokseve. Poezia e Halit Shamatës qëndron dinjitoze midis poezisë më të mirë që botohet sot.

Yzedin HIMA

Halit Shamata e jeton të përditshmen si një paradoks estetik. Poezia e tij është e bukur e befasuese, sepse buron nga raportet që ai ka me mjedisin dhe veten, raporte thellësisht estetike, gjithnjë në lëvizje drejt zbulimit të paradokseve. Në këtë lëvizje, poeti kujdeset që të zbulojë relacione të reja me objekte jashtë dhe brenda vetes. Poezia e tij nuk është aspak e kërkuar, por krejt e rastësishme. Zbulimi i koncepteve poetike, jo thjesht figurave poetike, ngjet me natyrshmërinë e germimit në një tokë të zakonshme, ku befas shfaqen statueta që të godasin me formën dhe dritën e fshehur. Them koncepteve poetike, se në vargjet:

S’ja përtoj kësaj nate
Përtacitë e thërmuara
Në një dorë paralitike

Mistere të kthyera kokëposhtë
Që lëkunden në të dalë të qiellit

... nuk kemi thjesht figura poetike, por koncepte të sjella poetikisht. Mezi pritet të vijë nata. Nata përton të vijë dhe përtacitë e saj janë të thërmuara në një dorë paralitike. Vini re asocacionet që krijohen: përtacitë janë të thërmura, pra edhe përtacitë përtojnë të vijnë të plota. Dhe nuk mjaftohet me kaq poeti, por për të formuar perden e lëvizshme të rënies me përtesë të natës, përtacitë e thërmuara i vendos në një dorë paralitike. Një dorë paralitike kur shtrihet, krijon një plasticitet dhibmjeje dhe ngadalësie të dhimbshme. Pse kërkon poeti me kaq ngulm rënien e natës? Mos vallë dita ka qënë aq e padenjë për syrin? Apo cilin turp do të mbulojë me natë poeti? Cilën vepër të padenjë njerëzore do që ta fshehë në natë?
Dy vargjet e tjerë bëhen edhe më misteriozë:

mistere të kthyera kokëposhtë
që lëkunden në të dalë të qiellit

Ajo që ka ndodhur, ajo që pritet të ndodhë është në dimesione të pamata, madje në përmasa kozmike, kur shfaqet kokëposhtë pikërisht në të dalë të qiellit.

* * *
Qartësohet paksa ky krijim nga një tjetër poezi, disi e largët për nga vendosja në libër:

Ne banojmë në një marrëzi dykatëshe
Që s’di në ç’anë mungon qielli

Vetëm në një vend, ku shtresëzimet sociale ende nuk kanë përfunduar, ose në një vend ku marrëzia nuk është njëkatëshe, mund të sjellin asociacione të qarta vargjet me një tektonikë të tillë:

Ne banojmë një kat më sipër
Dhe një kat më poshtë
Marrëzisë sonë dykatëshe ...

Është një poezi në libër, ku autori ndjek rrugëtimin e kundërt me atë të poezisë së lartpërmendur. Ai ndërron edhe ngjyrë në këtë vizatim, kalon nga e zeza e natës tek e bardha e mjegullës. Nga nxitimi për të ulur pëlhurën e natës në poezinë e parë, në lëvizjen elegante të largimit të mjegullës për të zbuluar detin. Në këtë zbulim të ëndërrt, autori nuk do që zbulesa të jetë e plotë, përjetimi të jetë i zbuluar deri në fund, ndaj sikur i ndruhet shfaqjes së detit që fshihet pas mjegullës, ose nuk do që deti të shfaqet menjeherë e plotësisht, se ëndrra mbaron dhe :

Në ç’ëndërr sillemi
ende të paparë?

Pas shtjelljës së mjegullës, që ngjet me zhveshjen delikate të një femre, poeti ndruhet nga e panjohura, ndruhet nga më e papritura: mungesa e asaj. Në të dy poezitë lënda poetike lëviz në drejtime të kundërta. Ka gjëra, dukuri që duhen flakur në terr, ose duhen mbuluar me natë. Ka objekte, dukuri që duhen kërkuar, zbuluar e përjetuar.

* * *
Gjatë kërkimit poetik, autori gjen veten, diku në natë, nën duna mornicash.
Është një realitet artistik, që ka përqasje me një baladë të vjetër shqiptare me urë, korba që shqepin sytë e njeriut, me nusevdekje dhe korbakrushq. Në poezi kemi një të premte të ngrirë (ku çdo natë është e premte dhe e vetme). Koha ka ngrirë, pikërisht në një të premte të zezë (Këtë natë të premte... nis vargu i parë). Nëse te balada njeriu ka marrë dy plumba kraharori dhe këtu historia mbaron për të rrugëtuar në baladë, në realitetin artistik të poezisë në fjalë kemi një dunë mornicash dhe njeriun që përpëlitet nën dunë. Këtu mungon thirrja nga fundi i botës, ankimi apo qarja drejtuar shokëve, amanetet drejtuar njerëzve të dashur, që gjenden në baladën e njohur, por janë të njëjtë: ikja, mbetja, korbi, shkretëtira, vuajtja. Në baladë ndeshim shkretëtirën fizike, ndërsa në poezi ndeshim shkretëtirën shpirtërore, brenda kraharorëve: Kraharorët ma vërtisin korbin mbi krye...
Është një ndër poezitë më të bukura të librit, ku koha ngrin, zemra mbetet dhe njeriu jeton (në baladë mbetet kurmi pa jetë), ku korbi qëndron pezull dhe vërtitet në vend të diellit mbi kryet e njeriut në një natë të premte, që nuk gdhin kurrë dhe qëndron përjetësisht e premte. Është një vizatim dantesk, një brez ferri, ku njeriu (nuk thuhet se çfarë mëkati ka kryer) është i dënuar në amëshim të qëndrojë në terr, nën goditjen e dunave me mornica.
Në libër nuk mungojnë edhe poezi të tilla, që mund të qëndrojnë natyrshëm në çdo antologji poetike serioze, siç është poezia XI. Ja tre vargje:

Le të ndahemi në një ditë më të bukur
ku vështirë se mund të ndahesh
pa u ndarë më parë në copra

Këtij relievi poetik nuk mund as t’i shtosh, as t’i heqësh. Kur e lexon, të kujtohet skulptura dhe shpjegimi që i bëhet asaj, merr një copë shkëmb, hiqi pjesët e tepërta dhe do të shfaqet vepra.
Në këtë poezi ndarja, dukuria më e zakonshme, merr përmasa dramatike, të pariparueshme: ku vështirë se mund të ndahesh, pa u ndarë më parë në copra! Lexuesi e dallon vetë përmasën e dashurisë, interferimin e saj te të dy të dashuruarit. Ajo është e patjetërsueshme, e pathërmueshme, e paasgjësueshme. Ndarja është dhunë, është coptim, është padrejtësi (coprat e asaj janë tek ai dhe e kundërta), është vrasje, është shkatërrim. Dashuria ka qënë një proces aq i thellë, sa që tani nuk dihet ku fillon njëri dhe ku mbaron tjetri. Të dashuruarit janë një. Një dashuri e tillë sot ndoshta ndërtohet vetëm në poezi.

Le të mungojmë në një ditë më të bukur
më të bukurit le të mungojnë
qoftë dhe një ditë
ku vështirë se mund të mungosh
pa u shkërmoqur më parë në copra
pranish të pacoptuara.

Më vjen të them se ndoshta, në vend të fjalës shkërmoqur, do të rrinte më mirë fjala thërmuar.

Ata që duan të ngrihen në qiell
I tremben kryqëzimit paraprak

ata që duan të shkojnë në kryq
i tremben qiellit që vjen pas

unë jam i trembur,
më parë dhe më pas.

Kjo poezi më kujton një skicë poetike të Oscar Wilde-it. Në skicën e Wilde-it njeriu tregon se shërbeu të sëmurët, shërbeu të varfërit, shërbeu të braktisurit, shërbeu të dobtit, por askush nuk u kujtua t’i jepte dorën e fundit drejt lavdisë së amëshuar, kryqëzimit. “Tani po pres të vijnë dhe të më kryqëzojnë, por askush s’po vjen.”, përfundon skica e shkrimtarit të famshëm.
Poeti Halit Shamata e ndërton këtë poezi nga këndvështrimi i njeriut me këmbët krejt në tokë, njeriut që i trembet edhe vuajtjeve të padrejta, pra kryqëzimit si simbol të këtyre vuajtjeve, të cilat për hir të së vërtetës i ka provuar, i trembet edhe lavdisë së qiellit, ndoshta sepse ndihet më mire në tokë, midis paradokseve.
Poezia e Halit Shamatës qëndron dinjitoze midis poezisë më të mirë që botohet sot.

18 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›