Rusia kundërshton zyrtarisht projektin e BE-së për gazsjellësin “Nabuko”
Qeveria ruse kritikoi Bashkimin Evropian dje dhe përpjekjet për të ndërtuar një "korridor jugor" për furnizimin me gaz, duke e konsideruar projektin "jorealist" dhe "ekonomikisht jorentabël". Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Rusisë tha se: "Rusia duhet të jetë pjesë e çdo zgjidhjeje të problemeve energjetike të BE-së". Reagimi rus erdhi pas një samiti të zhvilluar në Pragë për ndërtimin e gazsjellësit “Nabuko”, i cili duhet të marrë gazin e Azisë Qendrore dhe ta dërgojë në Evropën Qendrore, duke kaluar përmes Turqisë dhe Ballkanit. BE nuk arriti të fitojë mbështetje të mjaftueshme nga tri vende të Azisë Qendrore, të cilat zotërojnë rezerva gazi për shitje. BE-ja synon të gjejë burime gazi të ndryshme nga Rusia për të diversifikuar rrezikun. Projektet për impiante degasifikimi dhe gazsjellësish të prezantuara në Shqipëri gjatë viteve të fundit janë pjesë e këtyre përpjekjeve. Rusia synon të shmangë rrezikun e konkurrencës nga Azia Qendrore, duke vendosur kontroll mbi rrjetin e gazit në rajonin e Ballkanit. Vetëm dy ditë më parë, Serbia nënshkroi një kontratë me Rusinë për ndërtimin e një gazsjellësi nga Bullgaria. Gazsjellësi "Rryma Blu" është ekzistues nga Rusia deri në Greqi dhe plani është që një degë e saj të furnizojë edhe Serbinë.
FMN-ja firmos dhënien e 3 miliardë eurove kredi për Serbinë
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka vendosur të rrisë kredinë e kërkuar nga Serbia, duke e çuar atë në vlerën e rreth 3 miliardë eurove. Kredia do t’i shërbejë vendit për të përballuar krizën ekonomike. Fillimisht FMN-ja miratoi një kredi 394 milionë euro, por për shkak të rënies ekonomike që pësoi vendi, vendosi ta rrisë atë, thuhet në deklaratën e fondit. Bordi ekzekutiv vendosi gjithashtu zgjatjen e kredisë me një vit. Beogradi në këmbim të rritjes së ndihmës premtoi reduktim të shpenzimeve dhe kërkoi mbështetje shtesë nga institucionet financiare dhe BE-ja, për të mbyllur boshllëqet në vitet 2009-2011.
Eurostat: Ekonomia në Eurozonë, rënie me 2.5 për qind në 3 muaj
Ekonomia në 16 vende të Bashkimit Europian ka shënuar një rënie rekord prej 2.5 për qind gjatë 3 muajve të parë të këtij viti. Sipas Instututit Europian të Statistikave “Eurostat”, në bllokun 27-anëtarësh, rënie e madhe e ekonomisë është shënuar në Gjermani, me 3.8 për qind, në Itali me 2.4 për qind dhe në Francë me 1.2 për qind. Pak ditë më parë, Komsioneri për Ekonominë në BE, Hoakim Almunia tha se ekonomia europiane ka filluar të japë shenja rimëkëmbjeje, shenja këto, që më të dukshme do të jenë në vitin 2010. Sipas Institutit Europian të Statistikave, inflacioni vazhdon të mbetet nën kontroll. Për sa i takon, prodhimit industrial në Eurozonë, rënia vlerësohet 2 për qind në nivel 3-mujor, dhe 20.2 për qind në rast se krahasohen shifrat në vite.
18 Maj 2009