Pushkatimi
Alban BALA
Kjo është nnjë ngjarje e vërtetë, ka ndodhur në një nga fshatrat e poshtme të Shkodrës dhe tregohet ende nga dëshmitarët e mbetur gjallë prej asaj kohe të largët e të turbullt. Rrallë në botë ka fshatra si ai: tri të katërtat ia mbështjell uji dhe veç një rrip i gjelbër me dhé e rrënjë shelgjesh e mban lidhur për tokë. Gadishull i imët dhe i banuar; kush vinte aty për herë të parë, do të zgjohej në mesnatë me ndjesinë se gjendej mbi një barkë. Një pyll i hijshëm e ndante nga zhurma e luftës, që po tolloviste botën.
Kur koloneli Maier shkeli atypari, italianët sapo kishin kapitulluar dhe ndoshta një lajm i tillë në këto vise u dha të gjithëve përshtypjen se lufta kishte mbaruar. “Parajsa”, tha Maier me vete. Sipas kërkesës, që komanda miratoi, kampi gjerman u ngrit brenda një nate buzë kufirit malazes. Fshatarët nisën t’u shisnin vezë, perime të freskëta ose byrekë dhe merrnin në shkëmbim konserva dhe rroba dimri.
Kampi qe zhytur në pyll, por jo aq larg syrit të fëmijëve, të cilët e rrethonin gjithë ditën dhe e shihnin si një kafshë të butë e të panjohur. Gjysma e tyre besuan se flisnin gjermanisht, kur nisën të përshëndeten me ushtarët. Por prifti i katundit, Dom Jaku, u tha se ajo gjuhë qe hungareze dhe zhgënjimi i tyre qe i plotë.
- Gjermanët flasin hungarisht! - hungërinin lart e poshtë nëpër rrugëza. - Na ka pushtuar Hungaria!
Kur u mor vesh se batalioni kishte edhe çekë, polakë, madje edhe rusë, pështjellimi u bë i pakthyeshëm.
- Na kanë pushtuar të gjithë! - vazhdonin fëmijët të përndezur.
Megjithatë, çdo gjë rridhte e qetë dhe e fjetur.
* * *
Koloneli Maier dhe zëvendësi i tij Beck lëviznin gjithnjë bashkë.
Shpesh venin në mejhanen e Gjonit për të pirë verë, por kurrë s’ishin dehur. Në mesnatë paguanin dhe iknin. Dom Jaku, i vetmi njohës i gjermanishtes në atë krahinë, kuvendonte me ta gjëra, që s’i interesonin askujt. Vetëm Gjon Cungu e pyeti njëherë dhe urata iu gjegj:
“Më thanë se kanë nishan të mirë.”
Përmes priftit, fshati i ftoi në një garë pushkatarësh dhe ata arritën në orën e saktë, që të dy të paarmatosur. Kurrë s’ecnin me eskortë.
Lojën e fitoi rioshi Beck, zëvendës i kolnelit, i cili ngaqë qe shumë bjond, tregonte mjaft i ri. Fitoi me të gjithë. Pastaj i ktheu pushkën Preng Plakut, falënderoi gjermanisht dhe u largua krah Maierit.
- Turp që s’mbahet, burra! - bubullonte Gjon Cungu, ndërsa mbushte raki për të mundurit.
Preng Plaku e thumboi:
- Ti a gjuajte, Gjon? - Tjetri e pa shtrembër, pa i kthyer fjalë.
Po atë natë, në shtëpinë e Hutajve dy të ardhur prej Shkodre dhe i zoti, Qazimi, po bisedonin. Flitej për luftën.
- Gara e pushkatarëve erdhi si me porosi, - tha ai me emrin Sadik. - Është shkas fort i mirë dhe duhet ta shfrytëzojmë. Malësorët kanë sedër, apo jo? - dhe qeshi.
Vendosën diçka rreth mesit të natës, u shtrinë dhe fjetën.
* * *
Pas tri ditësh, si çdo të premte, koloneli Maier dhe Beck-u i ri kishin dalë për gjueti. Po ecnin të shpenguar duke folur zëlart, kur nga bregu matanë korijes rrapëtiu një pushkë dhe këmbët e djaloshit u lëkundën. Plumbi i hyri në fytyrë nën syrin e majtë, ndërsa flokët e verdhë iu përskuqën si bronz. Vdiq në vend, pa i lënë kohë tjetrit të gjykonte. Maier qëlloi dy herë andej nga erdhi krisma, por s’pa asgjë veç diellit që zhytej turbull në korije.
Të nesërmen në mëngjes fshati u zgjua i pushtuar. Dhjetë burra, mes tyre edhe Gjon Cungu, ishin kapur natën dhe prisnin mëngjesin për t’u pushkatuar. Në orën katër pas mesnate, Dom Jakun e zgjuan zëra ushtarësh. Veshi rason e doli. Vetë Maier e priti në komandë.
- Do t’i pushkatoj, - tha pa mëdyshje. - Do pushkatoj dhjetë vetë!
Prifti kafshoi buzën dhe nisi të lutej.
- Ju mendoni se të gjithë janë fajtorë? - e pyeti.
Ushtaraku veç e pa, siç shihen fëmijët naivë. “
- Beck ist tot, - shqiptoi egër, - verstehen Sie das. Ishte vetëm njëzet e gjashtë vjeç dhe s’kish marrë pjesë në beteja, - shtoi me shpirt ndër dhëmbë.
Dom Jaku e vështroi me keqardhje.
- A dini ndonjë arsye? - tha dhe priti, ndërsa Maier tundi kokën në “Jo”. Atëherë, - gjegji urata, - ata duhet të gjykohen. Para se t’i vrisni, është më mirë të dini pse.
Koloneli e la të fliste, por kuptohej lehtë se s’po e dëgjonte.
- Jawohl! - tha më në fund, - do t’i gjykojmë në kishë. Ju do t’i mbroni!
* * *
Kleriku kërkoi leje për meshën e mëngjesit dhe iku me një gur mbi zemër.
Qela e zbrazët e kthjelloi për tragjedinë e afërme dhe ai u lut për të dhjetë ata, sikur të ishin të vdekur. Koloneli vej e vinte para qelës i heshtur dhe vetullrëndë. Lëkura e hollë e buzëve i qe nxirë dhe duart i qenë veshur me damarë. Ecte gati në rreshtore dhe s’e zinte vendi.
Dom Jaku e dëgjonte brenda, por priste që ora të rrihte nëntën. Befas, diçka i vizëlliu në kokë dhe vrapoi drejt daljes.
Tjetri po e priste me sytë katër.
- Desha t’ju pyes, - tha prifti, - përveç jush, kush tjetër mund ta lërë kampin pa leje? Pyetja qe e papritur. Maieri u mpi.
- Askush, - gjegji. - Pse?
Një mal siku u hoq nga shpatullat e Dom Jakut.
- A mund ta shoh pak lejen e zëvendësit tuaj, atë të të ndjerit Beck? - pyeti.
Koloneli u zverdh, u skuq, në fund u përcoll dhe pastaj mori nga hyrja. U ul para altarit dhe u lut. Kur u ngrit, dukej se ishte përlotur dhe, në çastin e fundit, pa nga prifti:
- Lutuni për të! - shqiptoi. - Ky paska qenë vullneti i Zotit. Ai paska dalë pa leje!
Pastaj iku.
Të dhjetë burrat u lanë të lirë dhe pas një jave batalioni lëvizi, duke lënë pas vetëm një varr, atë të një djaloshi njëzet e shtatë vjeç, i cili s’e kishte parë ende luftën.
Pas dy vjetësh, Dom Jakun e pushkatuan pa gjyq për bashkëpunim me pushtuesin dhe askush s’ia di varrin. Askush. Qelën ia shembi rrufeja.
S H A K A J A
Ajo u shfaq e u zhduk sakaq në ekranin e madh televiziv, sa për t’u kallur datën atyre që e njihnin. Profili i pangatërrueshëm, hunda e rrumbullt poshtë ballit të rrëzuar shtrembër, buzët e rrudhta e të fryra, gjithnjë të kafshuara ashtu si kindat e fustanit të zi që ia ngulfaste era dhe ajo e rrëzonte paprerë me dorën e trashë e plot nyje, mbi të gjitha, fakti që me dorën tjetër shtrëngonte dorën e të nipit të saj gjashtëvjeçar – një fëmije të artë e të paarritshëm nga bukuria, që ajo shihej qartë se po e tërhiqte gati zvarrë, pamja e saj ngjethëse – vetëm me pantofla, kokëzbathur e me flokët e bardhë që ia lafiste ai murlan tetori, të gjitha të prinin te bindja se plakës i kishte ndodhur diçka.
Njerëzit e saj, që jetonin në fshat 260 km larg, e kishin parë teksa Televizioni Shtetëror tregonte arritjen me helikopter të disa të aksidentuarve në oborrin e Spitalit Ushtarak, i vetmi i specializuar për traumat e rënda në vend.
Plaka ishte në pistën e uljes së helikopterëve; në grinë e murrëtyer të asaj dite, fytyra e saj zbardhte veçanërisht shumë – thuaj vdekshëm.
Fëmijët e saj, dy djem të martuar që jetonin me të në një shtëpi të madhe jo larg spitalit, vinin vonë nga puna. Rreth orës gjashtë pasdite, kur ata kaluan pragun, shtëpinë e kishin pushtuar të ardhurit, ca miq të çuditshëm e të afërt, veshur gjithë me të zeza.
Në fakt, ai aksident i mnershëm kishte ndodhur herët atë ditë. Në mëngjes, të lënduarit dhe të vdekurit e shumtë, një skuadrilje helikpterësh i kishte mbartur në Tiranë bashkë me gjëmën. Pa asnjë mëdyshje dyzet e dy njerëz të saj, bashkë me fëmijët, ishin veshur dhe nisur flur me një autobus të porositur enkas drejt një fatkeqësie, që besohej qartë se u kish ndodhur. Por ata ende s’ia dinin emrin.
Të gjithë me të zeza, përfund edhe fëmijët e rritur, kishin sosur në drekë në shtëpinë e madhe, ku dera ishte ende e mbyllur. Gratë qanin, ndërsa nuset e reja të konakut, që hapën portën ballë të ardhurve të çuditshëm, nuk dinin nëse duhej të ndiqnin me lot atë kujë pa adresë.
Korba, ç’ka ngjarë? – Plakën e kishte lëshuar zemra. Një vargor aq i gjatë e i zi s’kish rënë në prag as ditëmortin e burrit të saj të harruar. – Korbani?!
Në mbrëmje djemtë qenë lemeritur edhe më keq nga ajo që gjetën në shtëpi. Gra me të zeza që qeshnin me të madhe dhe burra që digjnin cingar e hoka, duke gjerbur gati sup më sup në ballkon rakinë e paktë e të shpifur, me shije industriale.
Uuuuuu, mo graaaani! Po ku e dija unë, moj korba?! Ku e dija?! Plaka përpiqej të shpjegohej pa pushuar. Pashë helikopterët dhe ky, xhani i nënës – sytë e saj tregonin nipçen yll – që ish mërzitur shumë se helbete, shi e tufan, ku të lozë – dhe thashë: Hajde të të tregoj nëna helikopterët ty! Dhe dola te spitali siç qeshë, se ata ja hip-e-zbrit gjithë ditën sot. Ku e dija unë se kish bërë vaki gjithë ajo gjëmë, se do të ish edhe televizioni aty. Hatà, moj graaaaa! – dhe s’pushonte. Po sa shpejt që erdhët, xhanëm! Sa shpejt!
Nuset përpiqeshin të bënin bukë e gjellë, duke dredhuar përmes të ardhurve që dukej se ishin mërzitur edhe ata, sepse po lëviznin pa drejtim nëpër shtëpinë, që befas ishte mpakur e rrudhur një grusht.
Ah, të kishim një telefon, moj Hanko, po në fshat s’kemi më as ujë, jo më telefon. As telegrami nuk vjen; as gjë prej gjëje.
Kur të vdes unë, mos u lodhni prapë. Zëre se ishit. Ja erdhët, vijonte pa kuptim llomotinë e saj e moshuara. Le që po të vdes, nuk dal dot prapë në televizor, se helbete... Do jem nëntë male kaptuar...
Djemtë e saj panë njëri-tjetrin, ndërsa nuset kishin shtruar tryezën. Gratë do të hanin në prehër, ndërsa burrat ulur.
Mos u lodhni, për Zotin, zëre se erdhët, dëgjohej nga dhoma e grave zëri i plakës. Nuk dal më në televizor.
Të nesërmen, të ardhurit u nisën shumë herët. Ndërsa përshëndosheshin, gratë ia rimorën së qarës. Edhe plaka lotoi.
Të kisha vdekur më mirë, ishit që ishit! – nisi të fliste përçart dhe djemtë e futën brenda gati me zor, pasi nuk e dëgjonin dot.
Ik rehat, do të të varrosim në fshat, s’ka nevojë të vijë asnjëri. Shkojmë ne tek ata! Ik tani!
Mirë, tha plaka, mirë! Por më çoni me helikopter. Pse, kot shkova unë t’i shoh helikopterët?!
18 Maj 2009