E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjimi i bukurisë së fjetur



Ali PODRIMJA

TRURI

Mëngjes për mëngjes
bartin një tru
makinat e blinduara futë

Në mbrëmje e kthejnë
në guvë të hënës
ku kullot kopeja e zezë

Shkëlqim përrallor i marrëzisë
ku nuk veprohet
asgjë imzot

Kush më pak e kush më shumë
e gërryjnë e çveshin
e shkërdhejnë dhe e hedhin tej

Thonë se kanë atDhe por
më të bukur e duan
Hënë pesëmbëdhjetëshe

Udhëton një tru që nuk dallon
nga kungulli i Daklanit
Tek mbështjellë gurin e kujtesës

(maj, 2006)

LEXIMI I VETMISË SË SHTËPISË

Troket dikush
ka kohë që troket
në shtëpinë e vetmisë sime

Hap derën dhe humb
në zbraztësi

Dëgjoj hapat shkallëve
kollitjet e shtjerra

Ndjej ftohtësinë si më mbështjell
të strukur në cep të dhomës

Përmes vrimës përcjell
në Kodër të Qyqes rënien e yllit

Mos është syri i Katallanit
shkallëve të vetmisë na vështron

Apo grithje të tmerrshme
të thonjve për mure

Ekzekutojnë muzikë mortale

Ka kohë që vetminë e shtëpisë
në lëkurën time e lexoj

(2006)

ZGJIMI...

Mes mureve të larta të Namurit
nga vështrojnë Perënditë
Bukuria e një vashe ma kujton Ajkunën
e miteve

Vërshimë e ujërave të vendit tim
nëpër fytyrën e saj

Në trupin perri shoh si lartësohen
Majat e Bjeshkëve të Namuna

Te një mur u përflak ajo

Gjuhën humbi se dhëmbët
gardhiqe në kufirin me zjarre

Tevona u shua pranë Ujit të Madh

Nga një poezi e zymtë
Ujkun e Çalë kur e ndoqën

Ata që donin Gjuhë e atDhe

(Namur, mars 2009)

E SHTUNA E MIKUT

Mehmet Krajës

Një ditë të javës kishte miku
E shtunë ishte ajo, vetëm një ditë

Mbi shqetësimet ligjëronte
Se proceset shqiptare ngecin

Hapësirën pushtonte e paNjohura

Nuk e kishte kryer ende Orën
Kur ia rrëmbyen edhe atë ditë

Prodhuesit rentabël të etiketave
Zhurmaxhinjtë e marginave monafikët
Recidivët e fundit të komunizmit

Ndanë Gorres imazh gërditës, pulë e coftë
Torturues të artit, linçues të së drejtës

Nga lart dorë e padukshme litarin tërheq

Pritave njëqelizorët tek përtypnin çamçakëz
Ndritnin kulmeve sytë e Maces së zezë

Të shtunën e kishte të vetmen ditë miku

Në tetik kur çdo gjë ishte
Ora kishtë përfunduar

Mbi etikën e guximin njerëzor ligjërimi i kotë

Mbyll dritarën, ëndërr fluturimi i zogut

E kishte një ditë të javës miku
Në kujtesë diku ajo shpërpushet

E shkëputur nga grigja e fjetur

(Ulpianë, 28 maj 2007)

BALADË PËR TË ZHDUKURIT

Minj nuk ishin imZot
Kishin emra hyjnish

Prej fjalëve ëndrrave
Krijonin Diellin

Nëpër rreze, drurë
Buzëqeshjet i varnin

Linin udhëve nga një gur
Të mos na lërë Kujtesa

Tokeqiell i matnin me pëllëmbë

Shkelnin Pyllit të prerë
Nga sopata e Qoftëlargut

Turpërohem, gjë nuk mund bëra
Majë Pikëllimës
Qiriun ta ndizja për shpirtra
Të shndërruar në pikla shiu

Kënga nuk më del
Më ngulfatë hija e arkëmortëve
Dot ta qëndisë Ajkuna këmishëm e nusërisë

Në bukëekripëetokë betoheshin

Tek zbrisnin Çabratit
Hënë e zezë i mbuloi në Çarshi të Madhe

Gdhin apo perëndon

Zgjuar më mban vaji
Nëpër shtëpi fantazma

Njerëz të dalë nga palca e Gurit
Ishin imZot

Varret ua kërkoj
Në universin e purpërt

(Mars 2004)

LIBRI I GJALLË

Gruaja i ngjan librit
Por ky dallon
I gjallë është

E lexon dhe e ndjen
Si frymon
Gjymtyrët e saj tek zbulon

Ka Tokë Qiell Ujëra
Në universin e përndezur
Shkel majë gishtërinjve

Frikësohet se shterr burime
Dot t’i dilet
Në kopshtin e Odenit

Fletë pas flete shpaloset
Në gjunj bie
Se lexohet në vetmi

Sapo e ndjen dorën e saj
Kupto se Dielli i Natës
Moment i paharruar

Kërkoje atëherë amshueshmërinë
Nëpër faqet e librit
Tek shkruhet në kohë zjarrmie

(Ulpianë, 2007)

TË FYERIT

Fushë e kuqe nuk fshihesh më
Pas krahëve të Shkabës

Në tokë të fyer lulojnë kunguj
Bryma vyshk Brimën e Gurit

Para se Shkaba t’i rrahë krahët
Mbi tokën e fyer

(5 shkurt, 2008)

BURRI I DHEUT

Leh qeni hijeve
Se i ranë dhëmbët

Në vathë ujku
Po ku kopeja

Shkrepave përgjaket
Burri i Dheut me Hënën

(8-12 shkurt, 2008)

ZOTI NJEH NDËSHKIMIN

Kur hodha fjalën në letër të bardhë
Kokëçarje më shumë me poezi
Se me një mbretëreshë bukurie

Prisja ndonjë kafshim të papritur gjarpri
Nën qiellin e tmerrit
Ku Zoti njeh vetëm ndëshkimin

(shkurt, 2008)

18 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›