Begaj: Brezi i ri të njohë dhe ndërgjegjësohet për të shkuarën komuniste të Shqipërisë

Presidenti Bajram Begaj bëri të enjten thirrje që brezi i ri të njihet me të vërtetat e historisë së vendit dhe të ndërgjegjësohet për të shkuarën komuniste të Shqipërisë.
Zoti Begaj mori pjesë në një aktivitet përkujtimor të dy poetëve martirë Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, organizuar nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
Vilson Blloshmi dhe Genc Leka u ekzekutuan më 17 korrik 1977 mbi bazën e pretendimeve se poezitë e tyre përbënin një kërcënim për regjimin komunist të Shqipërisë, edhe pse ato nuk ishin botuar.
Presidenti theksoi se pjesëmarrja në ngjarje të tilla përkujtimore, mbart në mënyrë të pashmangshme peshën e madhe të përgjegjësisë historike për ta parë të kaluarën në sy. “Ditë si këto, shërbejnë si mundësi për t’i thënë të vërtetat e historisë veçanërisht, brezit të ri, që është këtu prezent”, u shpreh ai.
Zoti Begaj tha se Vilson Blloshmi dhe Genc Leka janë dëshmorë të fjalës dhe mendimit të lirë. ” Ata janë ende një nga brengat në ndërgjegjen tonë kombëtare” shtoi ai.
Duke nënvizuar detyrimin qytetar për të nxjerrë mësimet e duhura prej historisë, presidenti Bajram Begaj bëri thirrje për të kontribuar për ndërgjegjësimin e të rinjve për të shkuarën komuniste të Shqipërisë. “Të rinjtë tanë, veçanërisht ata që kanë lindur në periudhën e demokracisë, duhet të mësojnë për këtë pjesë të hidhur të historisë sonë, ku mijëra u vranë, u torturuan, u burgosën, u internuan dhe u persekutuan vetëm se mendonin ndryshe nga regjimi. Sepse ata besonin tek të drejtat dhe liritë themelore të njeriut” tha presidenti Begaj.
Akuzat për agjitacion, propagandë apo sabotim mund të tingëllojnë joreale dhe të pakuptueshme për të rinjtë e sotëm, prandaj është e nevojshme që t’u shpjegohet atyre çfarë ka ndodhur në këtë vend, që e shkuara të mos lihet kurrë në harresë, tha ndër të tjera presidenti i vendit Bajram Begaj. “Shqiptarët duhet të mësojnë dhe të reflektojnë më shumë për këtë periudhë, e cila ende edhe sot, fatkeqësisht i ndan shqiptarët në “ata” dhe “ne””, tha ai.
/ Sipas ATSH /