Begaj përkujton 20-vjetorin e vdekjes së dëshmorit Gani Malushi: Bënte luftë pa kompromis ndaj bandave të krimit

Në përvjetorin e 20-të të ndarjes nga jeta të komisar Gani Malushit, presidenti Bajram Begaj ka deklaruar se Dëshmori i Atdheut do të nderohet gjithnjë si shembull frymëzimi për Policinë e Shtetit.
Kreu i Shtetit shkruan se profesionistë si Malushi e lartësojnë figurën e Policisë së Shtetit dhe rrinin besimin e qytetarëve te institucioni.
“Dëshmori i Atdheut, Komisar Gani Malushi do të nderohet gjithmonë si shembull frymëzimi për Policinë e Shtetit. Do të kujtohet me respekt për luftën pa kompromis me bandat e krimin. Profesionistë si ai lartësojnë figurën e Policisë së Shtetit dhe rrisin besimin tek ajo”, shkruan Begaj në rrjetin social Facebook.
Nga prilli i vitit 2003, komisar Malushi kreu detyrën e shefit të Komisariatit të Policisë Krujë. Më 6 gusht 2003, pas plagosjes së rëndë si pasojë e një atentati ndërsa lëvizte me makinë bashkë me shoferin e ndjerë Gjovalin Ndreu, ai ndërroi jetë një ditë më pas në Spitalin Ushtarak Tiranë (7 gusht). Drejtësia gjykoi dhe dënoi me burg përjetë Agim Pepën, i vetëdorëzuar pas krimit.
Në shtator të 2013, presidenti asokohe Alfred Moisiu i akordoi komisar Malushit “Medaljen e Mirënjohjes” me motivacionin “Për organizim e drejtim cilësor të punës, për profesionalizëm dhe përkushtim në kryerjen e detyrës”.
Gani Malushi u shpall “Dëshmor i Atdheut” nga Komisioni Qendror i Statusit me vendimin nr.40, datë 16.11.2004.
/rtsh.al/