Port Durrës/ Tentuan të fusnin në Shqipëri mbi 121 mijë euro të padeklaruara, në pranga pronari i autobusit

Sekuestrohen mbi 121 mijë euro të padeklaruara në Portin Kufitar të Portit Durrës. Policia bën me dije se është arrestuar 44-vjeçari Leonard Nikolli, pronar i autobusit të linjës Durrës-Bari-Durrës, ndërsa është proceduar drejtuesi i mjetit.
Shërbimet e policisë kufitare e kaluan autobusin në vijën e dytë të kontrollit, ku konstatuan se në tavanin e mjetit ishin fshehur mbi 121 mijë euro të padeklaruara me destinacion Shqipërinë.
“Në kuadër të këtij operacioni, shërbimet e Policisë Kufitare, në hyrje të vendit, kaluan në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, autobusin e linjës “Durrës-Bari-Durrës”, në pronësi të shtetasit L. N. dhe me drejtues shtetasin E. S.
Gjatë kontrollit të ushtruar në tavanin e këtij autobusi, të kryer duke përdorur metoda bashkëkohore të kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 121 680 euro, të cilat këta shtetas tentonin t’i futnin në vendin tonë, pa i deklaruar në pkk, konform ligjeve në fuqi“, thuhet në njoftim.
/rtsh.al/