E Diel, 1 Nëntor 2026

Begaj shkëlqen në Evropian,kampione në shkëputje

Peshëngritja shqiptare është kthyer përsëri protagoniste, por këtë radhë në sensin pozitiv. Në Kampionatin Evropian që po zhvillohet në Itali, shtangistja Romela Begaj ka shkëlqyer në garën e peshës 58 kilogramë, duke siguruar tri medalje që afrojnë shtangën kuqezi me Lojërat Olimpike, Pekin 2008. Begaj është shpallur Kampione Evrope në stilin e shkëputjes, duke thyer dy herë rekordin kombëtar, ndërsa ka marrë medalje bronzi në stilin e shtytjes. Një rezultat që i ka dhënë më pas medaljen e argjendtë në dygarësh, ku ka triumfuar polakja Klejnovska, vetëm falë peshës më të lehtë trupore, pasi ka realizuar 212 kg, aq sa Begaj.

Në kampionatin e të rejave, një vit më parë, Begaj kishte realizuar 96 kg në stilin e shkëputjes, ndërsa këtë radhë ka vendosur që në provën e parë të ngrejë 95 kg. Kjo provë ka rezultuar e suksesshme dhe Begaj ka siguruar menjëherë medaljen e artë në këtë stil, pasi rivalet e saj, Gotfrid dhe Klejnovska, janë ndalur përkatësisht në 94 kg dhe 91 kg, ndërsa rumunia Kokosh mbante vendin e katërt me 89 kg. Shtangistja shqiptare vendosi të krijonte distancë sigurie në stilin e saj të preferuar, duke ngritur me sukses në dy provat e tjera peshat 98 kg dhe 101 kg. Në këtë mënyrë, Begaj theu dy herë radhazi rekordin kombëtar për femra, që ishte 97 kg. Pas këtyre provave të suksesshme, Begaj krijoi një distancë prej 10 kg nga ndjekësja e saj më e afërt.

Stafi teknik i kombëtares vendosi që Begaj të zhvillonte një garë "në mbrojtje" në stilin e shtytjes, duke synuar një pozicionim sa më të mirë në dygarësh. Për këtë arsye, pesha e saj fillestare u vendos në 11 kg, ndonëse një vit më parë, në kampionatin e të rejave kishte arritur vetëm 110 kg. Një "ndihmë" i erdhi nga polakja Gotfrid, e cila nuk arriti të realizonte ngritjen e peshës 110 kg në të tria provat, duke humbur mundësinë e renditjes në dygarësh. Begaj ka gabuar në provën e saj të parë, 111 kg, por ka realizuar të dytën, duke siguruar medaljen e bronztë në shtytje. Ajo ka provuar të ngrejë peshën 115 kg, por pa sukses, duke i dhënë fund garës së saj. Medaljen e artë në këtë stil e ka siguruar polakja Klejnovska, e cila ka ngritur peshën 121 kg, ndërsa në vendin e dytë u rendit peshëngritësja rumune Kokosh, e cila realizoi ngritjen 120 kg. Si përfundim, Begaj dhe Klejnovska realizuan të dyja peshën 212 kg në dygarësh, por medalja e artë i kaloi sportistes polake, e cila peshonte 290 gramë më pak se peshëngritësja shqiptare. Në vendin e tretë, me 3 kg diferencë u rendit rumunia Kokosh, që plotësoi podiumin e dygarëshit. Ndonëse Begaj ka arritur rezultate të shkëlqyera në këtë Kampionat Evropian, pjesëmarrja e saj në Pekin 2008 do të varet nga rezultati ekipor që do të arrijnë kombëtarja shqiptare për femra. Nëse Shqipëria renditet mes 5 vendeve të para, atëherë do të sigurojë pjesëmarrjen në Pekin 2008.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›