E Shtunë, 31 Tetor 2026

Motel i paligjshëm në mes të Tiranës

Problemin e banorëve të Vaqarrit e kanë edhe banorët e kryeqytetit. Në mes të Tiranës, pranë stadiumit "Dinamo", ngjitur me një pallat banimi, është ndërtuar që prej disa vjetësh një motel që funksionon ditën dhe natën. Askush nuk e ndërpret dot këtë aktivitet. Megjithëse ndërtimi është pa leje, megjithëse ka një vendim të KRRT-së së Tiranës, që të prishet ky ndërtim, moteli vazhdon të funksionojë, sepse gjykata me një vendim ka pezulluar veprimet e inspektoriatit të ndërtimit.

Moteli quhet "Piemonte" dhe ushtron aktivitetin në mes të Tiranës, ndërkohë që banorët e pallatit ngjitur kanë vite që ankohen për zhurmat, që shqetësojnë familjet e tyre.

Pronari i këtij aktiviteti deklaron se është i ligjshëm, megjithëse nuk ka licencë për ushtrim të aktivitetit të hotelerisë nga Minsitria e Turizmit. Nga ana tjetër, edhe pa leje, bashkia e kryeqytetit i ka vjelë taksat për hotelerinë.

Kryeinspektori i ndërtimit, Afrim Qendro, deklaron se nuk mund të ndërmarrin asnjë veprim për prishje të objektit, edhe pse banorët e pallateve ngjitur nuk rreshtin së ankuari, sepse gjykata ka nxjerrë një vendim që pezullon veprimet e Inspektoriatit të Ndërtimit. Nga ana tjetër, i zoti i motelit ka aplikuar për legalizim dhe të gjithë janë në pritje të daljes së vendimit të ALUIZNI-t.

"Për bar hotel "Piemonten" është arritur në mënyrë proceduriale të nxirret një vendim për prishjen e objektit. Mbasi për këtë objekt ka pasur ankesa në të gjitha institucionet.

Ky zotëria është në proces legalizimi. Ndërkohë që është gabimisht i përfshirë në proces, sepse me një vendim të KRRT-së së Bashkisë së Tiranës, ky objekt duhej të prishej që në vitin 2003, ndërkohë që minibashkia e ka bërë të mundur si aplikant. Në bazë të këtyre dokumentave është nxjerrë vendimi për prishje. Ne kemi vajtur për të kryer ekzekutimin e vendimit dhe në këtë moment na ka dalë përballë një vendim gjyqi për pezullimin e këtij vendimi. Në momentin që jemi njohur më këtë vendim e kemi pezulluar dhe jemi duke ndjekur rrugën gjyqësore. Ndërkohë që e gjithë praktika është shumë e rregullt dhe ligjore. Kemi të bëjmë me një ndërtim pa leje. Me një ndërtim shumë shqetësues për banorët". Kështu tregon për "Fiks Fare", kryeinspektori i ndërtimit të Tiranës.

Edhe kryetarja e Njësisë Bashkiake nr. 5 në Tiranë, Jeta Seitaj, pranon se ankesat e banorëve për këtë motel kanë mbërritur në zyrën e saj, por kjo njësi bashkiake nga ana tjetër ka pranuar aplikimin për legalizim të këtij objekti, në një kohë që kishte vendim të KRRT-së së Tiranës për prishje, duke i dhënë të drejtën që të sigurojë në gjykatë, një vendim për pezullimin e veprimeve të Inspektoriatit të Ndërtimit.

"Për këtë motel ne kemi pasur ankesa nga banorët, për zhurmat që krijohen të", pohon kryetarja e Njësisë Bashkiake nr. 5 në kryeqytet. Nga ana tjetër, për sa i përket pranimit të vetëdeklarimit të ndërtimit pa leje, Seitaj shprehet: "Vetëdeklarimet janë bërë para vitit 2003, para se të dilte ky vendim për prishje. Dhe në bazë të ligjit për legalizimet çdo qytetar, çfarëdo ndërtimi që të kishte, qoftë çadër, qoftë objekt tjetër me funksion banimi ose shërbimi, njësia ishte e detyruar të pranonte vetëdeklarimin e qytetarëve. Detyrimisht, atje ku krijohen të tilla probleme dhe veçanërisht atje ku ka edhe studime, ato objekte patjetër që nuk do të legalizohen. Ligji i legalizimeve nuk e lejon prishjen në këtë moment. Por kjo nuk do të thotë që këto objekte do të legalizohen".

E ndërsa vendimi për prishjen e këtij ndërtimi pa leje është pezulluar, banorët vazhdojnë të ankohen se nuk jetojnë dot në banesat e tyre.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›