E Shtunë, 31 Tetor 2026

Esat Ademi: Suksesi mbylli një vit të mbrapshtë

Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Esat Ademi, ka komentuar me entuziazëm rezultatet e shkëlqyera të Romela Begajt në peshën 58 kg. Në linjë telefonike për "Shqip", ai ka treguar edhe emocionet që janë përjetuar kur Begaj është ngjitur në podium me flamurin kuqezi në supe, duke i dhënë fund një viti të errët, ku shtanga shqiptare është goditur nga skandalet e dopingut. "Jemi shumë të gëzuar, pasi ky ishte një sukses i jashtëzakonshëm i shtangës shqiptare. Mendoj se Begaj ka bërë më të mirën e mundshme në Kampionatin Evropian, duke marrë tri medalje dhe ngritur përsëri lart flamurin kuqezi. Kjo i ka dhënë fund vuajtjeve të një viti negativ, që filloi me peshëngritjen për femra, por që fatmirësisht po mbyllet. Kjo tregon se shtanga shqiptare ka kaluar përfundimisht problemet e saj dhe tani po ecën në një rrugë të mbarë dhe me suksese. Kampionati Evropian konfirmoi jo vetëm rritjen tonë, por i dha fund edhe eksportimit të sportistëve, pasi tani në përbërje kemi dy peshëngritëse që do të garojnë për ngjyrat kuqezi, kur më parë e bënin këtë për Greqinë. Me praninë time në Komitetin Ekzekutiv të Federatës Evropiane, do të bëj maksimumin që këtë sukses të peshëngritjes shqiptare ta shfrytëzoj për të siguruar zhvillimin e aktiviteteve në vendin tonë, apo edhe për të siguruar fonde në përmirësimin e kushteve", ka treguar Ademi. Duke u kthyer te gara e Romela Begajt, presidenti i FSHP-së ka treguar se shtangistja shqiptare kishte bërë paraqitjen më të mirë të saj. "Ka thyer dy herë rekordin kombëtar në shkëputje dhe kjo tregon shumë mirë se çfarë rezultati është arritur. Në stilin e shtytjes, ajo mund të bënte edhe më shumë, por gjithçka u ndikua nga dështimi në provën e parë. Megjithatë, është një rezultat shumë i mirë që tregon seriozitetin me të cilin është punuar gjatë kësaj kohe dhe pretendimet tona në të ardhmen", përfundoi Ademi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›