E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuri Seferi premton KO në ndeshjen kundër Jalushiç

Kur kanë mbetur edhe pak ditë deri në duelin e tij të radhës, boksieri shqiptar, Nuri Seferi, shprehet i sigurt për fitoren e tij përballë kroatit Josip Jalushiç, duel i vlefshëm për titullin botëror në versionin GBU në kategorinë kruizer (deri 91 kg). Të dy boksierët ishin përballur me njëri-tjetrin edhe më 8 dhjetor të vitit të kaluar dhe ndeshja ishte mbyllur me fitoren e Seferit me pikë, pas 12 raundesh, por për duelin e 3 majit, që do të zhvillohet në Kirshberg të Zvicrës, shqiptari ka bërë të tjera "hesape". "E kam thënë edhe më parë dhe u qëndroj atyre fjalëve, që kërkoj të shënoj fitore me ‘knock-out‘", ka thënë Seferi. I ashtuquajturi "Albanian Tyson" nuk mërzitet për faktin se kundërshtari i tij, pas duelit të përbashkët, kishte bërë një paraqitje mjaft të mirë përballë ish-kampionit të botës në versionin WBC, Tomasz Adamek. "Normalisht, edhe kundërshtari do të ketë përgatitjet e tij, por unë besoj se do ta mbyll ndeshjen ashtu si e kam planifikuar". Kur Seferi premton KO, atëherë fjalët e tij duhet të merren seriozisht, pasi vetëm 5 nga 20 duelet e fituara prej tij janë mbyllur me vendim të gjyqtarëve, që do të thotë se në 75% të rasteve, "Albanian Tyson" fiton me "knock-out". Përveç kësaj, edhe faza përgatitore e zhvilluar në kampin e "Universum Box Promotion" në Austri. së bashku me Luan Krasniqin dhe kampionin e botës në versionin WBO për peshën kruizer, Firat Arslan, i shtojnë shanset e shqiptarit për një fitore. "Tani kam arritur një formë shumë të mirë fizike. Përgatitjet që kam zhvilluar kanë shkuar në rregull dhe nuk kam pasur asnjë shqetësim. Jam i gatshëm për të shtunën", ka shtuar Seferi. Boksieri shqiptar është prej 9 vitesh në ringun profesionist, ku ka zhvilluar 25 ndeshje, duke fituar 15 dhe humbur 5 prej tyre, të fundit në qershorin e vitit 2006.

Marrë nga "boxalb.com"



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›