E Diel, 1 Nëntor 2026

Behar: Pavarësisht raportit të panelit hetues, vetë Banka Botërore po heton menaxherët e saj

Nga Vizion Plus

Flet për “Vizion Plus”, Richard Behar, gazetari i Fox News, që publikoi hetimin për skandalin me projektin e Bankës Botërore

Si ratë në gjurmët e kësaj afere?

Kam rreth 2 vjet që hetoj në lidhje me Bankën Botërore dhe kam shkruar disa artikuj mbi këtë subjekt për Fox News.

Unë gjithmonë i ndjek me interes zhvillimet në këtë organizatë, në veçanti ato ku mund të ketë korrupsion.

Në bazë të investigimit tuaj, sa e përfshirë është pala shqiptare në këtë çështje?

Nuk kam arritur ende të bëj një hetim të plotë për këtë çështje. Kam siguruar disa dokumente shumë të rëndësishme të hetimeve dhe ato i kam cituar në artikullin e publikuar.

Kam cituar gjithashtu “Balkan Insight”, që publikoi një shkrim para disa javësh.

Po zyrtarët e Bankës Botërore?

Paneli i inspektimit ka bërë një hetim të zgjeruar.

Bëhet fjalë për një panel të pavarur, i cili doli në përfundimin se menaxherët dhe stafet në terren, si në Shqipëri, ashtu edhe në Uashington, i kanë fshehur informacionet, madje janë sjellë në mënyrë mizerabël.

Kam marrë vesh se aktualisht vetë Banka po heton mbi menaxherët e saj për këtë çështje dhe duhet të them se e gjithë kjo nuk më habit, pasi gjatë punës sime në këta muaj, në veçanti nga muaji tetor, kam vënë re një tendencë të goditjes me gurë dhe keqinformimit të shtypit dhe publikut nga ana e BB.

A keni pasur presion për publikimin e shkrimit tuaj në Fox News?

Absolutisht jo, nuk kam pasur presion.

Sa e vështirë ka qenë për ju mbledhja e informacionit mbi këtë aferë?

Raportet janë mjaft të zgjeruara dhe kërkojnë kohë për t’u lexuar dhe për të nxjerrë gjërat më të rëndësishme. Disa gjëra janë të shkruara në gjuhë burokratike dhe mund t’i kuptosh ato, vetëm kur familjarizohesh me to.

Ju them se kam lexuar shumë raporte, madje raporte kritike për Bankën, por gjuha e përdorur në këtë raport është e ashpër edhe me standardet burokratike, në fakt veçanërisht me standardet burokratike. Mungojnë përkëdheljet në tonin e përdorur.

A do të vazhdojë edhe më tej investigimi juaj mbi këtë çështje?

Nuk po e bëj këtë në mënyrë aktive, por, nëse do të më bien në dorë informacione të tjera për Bankën Botërore mbi këtë çështje, me siguri që do të merrem. Por nuk planifikoj ndonjë udhëtim në Shqipëri. Unë kam disa burime të mira informacioni dhe do të vazhdoj të mbledh informacion në këtë drejtim.

Keni burime në Shqipëri?

Kam burime brenda Bankës Botërore dhe të lidhura me Bankën Botërore.

A keni lënë ndonjë gjë pa thënë te shkrimi juaj, që mund të na e thoni ne?

Mendoj se, pasi ke lexuar raportin, del në përfundimin se ka shumë gjëra për t’u hetuar. Kam shumë gjëra ende të panjohura.

Përse njerëzit brenda Bankës Botërore shpërqendruan bordin?

Përse u bë kjo? Ka përfituar dikush nga kjo gjë? Ne nuk e dimë. Paneli i inspektimit nuk e di. Dokumenti i brendshëm nga Këshilli ligjor nuk arriti t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje.

Nuk e di se përse askush nuk mundi t’i shkojë në fund çështjes. Një nga problemet që ekziston është se Banka Botërore është organizatë e pavarur. Nuk ekziston një autoritet kontrollues i Bankës, një agjenci qeveritare në Uashington. Banka bën çfarë të dojë dhe në kuadrin ligjor ata nuk janë të detyruar t’i japin llogari njeriu.

Pse mendoni se Berisha tha se raporti është i mbushur me falsitete?

Mendoj se duhet saktësuar se cilat janë falsitetet. A e ka bërë ai këtë? Mendoj se ai duhet të evidentojë saktësisht se çfarë është e rremë dhe çfarë jo. Dhe të gjithë ne po presim.

Të gjithë presin datën, kur bordi të mblidhet për të diskutuar…

Duhet të jesh i sigurt për një gjë. Diskutimi në bord do të jetë sekret. Dhe ne nuk do ta marrim vesh asnjëherë. Vetëm nëse do të ketë rrjedhje informacioni.

Jeni duke investiguar mbi ndonjë skandal tjetër për momentin?

Unë gjithmonë hetoj.

Cili ka qenë investigimi juaj më i suksesshëm, që ka ngjallur më shumë debat dhe ka sjellë më shumë reagime?

Kam kryer hetime për rreth 25 vjet. Supozoj se investigimet me më shumë impakt kanë pasur të bëjnë me krimin e organizuar, gabimet e korporatave në Wall Street, kam shkruar për kishën e Scientology, gjë që ka pasur mjaft impakt dhe aktualisht po shkruaj një libër për Bernie Madoff.

Richard Behar është një gazetar investigativ, fitues i disa çmimeve, i cili ka shkruar për stafin e disa revistave kryesore në botë si “Forbes”, “Time” dhe “Fortun” për një periudhë prej 21 vitesh duke nisur nga viti 1982 deri në vitin 2004. Puna e tij është shfaqur gjithashtu dhe në CNN dhe PBS. Që nga korriku 2005, Behar koordinon projektin Klebnikov, një aleancë globale mediesh që synon hetimin për vrasjen e gazetarit Paul Klebnikov (gazetari amerikan me origjinë ruse që u vra në Moskë në vitin 2004), dhe linjat e tij të hetimit. Që nga viti 2004, raportet e tij investigative janë publikuar në BBC News, “Forbes”, FoxNews.com dhe revistën “Fast Company”. Në dhjetor 2008 ai është përzgjedhur nga Random House për të shkruar një libër për Bernard Madoff

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›