E Shtunë, 31 Tetor 2026

Largim dramatik nga Davos

Nga “The Economist”

A ishte gjithçka e paramenduar? A mos ndoshta kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, humbi kontrollin?

Largimi i tij nga një debat me presidentin e Izraelit, Simon Peres, në forumin e Davosit e ka bërë liderin turk më të diskutuarin që nga koha e Qemal Ataturkut.

Audienca e financuesve të tij dhe të politikës u tronditën. Por myslimanët në mbarë botën e përshëndetën mënyrën se si Erdogani qortoi Peresin për sulmet e Izraelit në Gazë. “Kur është fjala për vrasjen, ju dini shumë mirë si të vrisni. Unë e di mirë se ju godisni dhe vrisni fëmijë”, - bërtiti Erdogan i skuqur nga inati. Incidenti ka shkaktuar një debat për aleancën e Turqisë me Izraelin dhe, nëse Erdogani është i aftë apo jo për të udhëhequr Turqinë dhe nëse është, atëherë në cilin drejtim, Lindje apo Perëndim?

Nuk ka dyshim për ambicien e Turqisë për të qenë në NATO apo Bashkimin Evropian, apo për të shkëputur lidhjet me Izraelin dhe Amerikën. Por, kritikët thonë se sjellja e Erdoganit ishte një dredhi për të kënaqur votuesit. Nëse është kështu, ajo ka funksionuar.

Sondazhet tregojnë se 80% e turqve e mbështesin Erdoganin dhe veprimet e tij. Kandidatët e Partisë së tij islamike për Drejtësi dhe Zhvillim, do të marrin shumë vota në zgjedhjet lokale të 29 marsit.

Sfida e Erdoganit gjithashtu ka ndihmuar për të qetësuar popullin e tij ndaj ndjenjave të poshtërimit dhe inferioritetit, që datojnë me disfatën e Perandorisë Otomane. Shumë këmbëngulin se reagimi i Erdoganit ishte spontan dhe krejt i sinqertë.

“Turqia ka marrë përsipër “udhëheqjen morale” në bazë të vlerave perëndimore”, - thotë Cengiz Candar, një analist liberal.

Jo të gjithë janë dakord me qëndrimin e tij, megjithatë, sjellja e Erdoganit i pakëson shanset që Turqia të negociojë me sukses mes Izraelit dhe Sirisë.

Thirrja e tij që Barack Obama të “ripërcaktojë terroristët, është konsideruar si një apel për të hequr etiketimin e Hamasit. Megjithëse evropianët dhe amerikanët nuk e kanë ngritur shumë zërin ndaj reagimit, në mënyrë private zyrtarët janë të pakënaqur. “Grindja e Davosit ka lënë në Evropë ndjesinë se Erdogani është i paparashikueshëm”, - thotë një diplomat. Obama tashmë mund të mos e vizitojë Turqinë.

Çështja e Davosit, thotë një tjetër diplomat i huaj, ishte një provë. Erdogani tregoi bindjen se Perëndimi ka nevojë për Turqinë.”

Në Bruksel kohët e fundit Erdogani tha se, nëse nuk ka pasur progres në kapitullin e energjisë të Turqisë në bisedimet e pranimit në BE, atëherë “Ankaraja do të rishqyrtojë qëndrimin e saj”. Erdogani thotë se BE po e zvarrit ofertën e anëtarësimit të Turqisë dhe kjo shpjegon faktin, pse Turqia po kërkon tani miq të rinj në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.

Turqia është i vetmi vend mysliman që është në të njëjtën kohë edhe laik, edhe demokratik, edhe aleat me Perëndimin. Rritja e numrit të investitorëve arabë në Turqi “tregon se ne e shohim atë si pjesë të Evropës dhe jo të Lindjes së Mesme”, - thotë një bankier arab në Stamboll.

Por, për të arritur ato që ajo kërkon, Turqia do të duhet të gëlltisë krenarinë e saj dhe të bëjë lëshime të mëtejshme në Qipro. BE mund të pezullojë bisedimet e anëtarësimit fare, nëse Turqia nuk përmbush më një dhjetor 2009 të gjitha kushtet që i janë vënë. Ky është edhe afati i fundit për të hapur portet e saj për ato greko-qipriote. Shpresa është se Egemen Bagis, i cili është zgjedhur zyrtar i Turqisë për dialogun me BE në janar, do t'i kujtojë Erdoganit, se të paktën në këto bisedime Turqia është lutësja dhe jo Bashkimi Evropian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›