“Gërdeci”, Mediu sot në prokurori, njihet me akuzën ndaj tij
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, nesër do të jetë para prokurorisë, e cila pritet t’i komunikojë atij akuzën për shpërdorim detyre, duke përmbyllur kështu një proces të gjatë hetimi prej gati 11 muajsh. Bashkë me Mediun, fletëthirrja për në prokurori u ka mbërritur dhe mbi 15 zyrtarëve ushtarakë dhe jo, të Ministrisë së Mbrojtjes.
Më pas dosja do të niset drejt Gjykatës së Lartë, e cila do ketë në duart e saj dhe një tjetër deputet, dhe ish-ministër.
Hetimi ishte i gjatë dhe i vështirë. Shpesh prokuroria u përball me presione politike nga ana e mazhorancës, e cila pas shumë këmbënguljesh pranoi të heqë imunitetin për deputetin Fatmir Mediu.
Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, gjatë një interviste televizive deklaroi se të gjitha aktet që kanë sjellë Gërdecin kanë firmën e Mediut, çka e bën atë fajtor për tragjedinë.
Prokurorja pati deklaruar se çështja e Gërdecit lidhet me atë të trafikut të armëve me AEY, por që do të hetohet veçmas dhe ajo.
Vetë Fatmir Mediu, e më pas kryetarja e Kuvendit dhe vetë kryeministri janë përpjekur që të bëjnë përgjegjës për Gërdecin ushtarakët, por këta të fundit përveçse kanë pranuar që janë shmangur nga procesi, kanë theksuar se në raste të tjera kanë zbatuar urdhrat e eprorëve të tyre.
Në periudhën kur diskutohej heqja e imunitetit të Mediut, kryetarja e Kuvendit nisi një sulm të hapur ndaj kryeprokurores, që pasoi dhe me qëndrimin e hapur të ndërkombëtarëve në mbështetje të Ina Ramës.
Në burg për çështjen Gërdeci ndodhen tre persona deri tani, për të cilët është ngritur dhe akuza për vrasje masive.
Bëhet fjalë për Mihal Delijorgjin, Yllin Pinarin dhe Dritan Minxollin.
Shpesh është deklaruar se pas këtyre pazareve qëndron dhe djali i kryeministrit Sali Berisha. Një fakt i publikuar dhe në media e implikon atë në procesin e përgatitjes së infrastrukturës ligjore për këtë aferë. Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, ka deklaruar se është e gatshme ta thërrasë Shkëlzen Berishën për të dëshmuar, por dhe për më tej në lidhje me këtë ngjarje.
Vetëm dy ditë më parë, kryeministri Sali Berisha doli në mbrojtje të Mediut në lidhje me Gërdecin. Duke folur për Zërin e Amerikës, Berisha dhe se Mediu nuk është i implikuar dhe se fajtorë janë ushtarakët.
Për më shumë, sot prokuroria pritet të ketë dhe një deklarim të saj. 11 muaj më parë, në Gërdec afër Tiranës, një punishte e demontimit të armëve shpërtheu duke sjellë 26 viktima, qindra të plagosur dhe miliona dollarë dëme.