Bëhemi 7 miliardë

Një raport i ri i OKB-së për gjendjen e popullsisë së botës thotë se masat që ne marrim tani do të përcaktojnë të ardhmen tonë, nëse ajo do të jetë e shëndetshme dhe e begatë, apo nëse ajo do të karakterizohet nga pabarazia, degradimi i mjedisit, apo rënia ekonomike.
Raporti argumenton se shifra 7 miliardë mund të shihet nga një këndvështrim pozitiv, sepse ajo pasqyron arritjet që po na lejojnë shumë prej nesh t’i mbijetojmë procesit të lindjes dhe për të jetuar më gjatë.
Por Richard Kollodge, një nga autorët e studimit, thotë se kjo thekson njëkohësisht hendekun që ekziston brenda vendeve të ndryshme të botës, sidomos në botën në zhvillim.
“Në shumë vende me të ardhura të pakta të Afrikës Nën-Sahariane dhe disa të Azisë, rritja e popullsisë po ndodh më shpejt se rritja ekonomike dhe aftësia e qeverive për të siguruar shërbimet e nevojshme. Në shumë vende me të ardhura mesatare, ku rritja e popullsisë është e stabilizuar, çështja e urbanizimit dhe faktori i migracionit ndikojnë së tepërmi tek dinamika e zhvillimit të popullsisë”, theksoi Kollodge.
Raporti parashikon që Azia, me 4,2 miliardë banorët e saj, do të mbetet rajoni më i populluar i botës për këtë shekull.