SHBA dëshiron të rrisë praninë në Gjirin Persik

Gazeta citon zyrtarë dhe diplomatë të kenë thënë se Washingtoni është duke negociuar për mbetjen e trupave në Kuvajt, ndërsa është duke u shqyrtuar edhe ideja për angazhimin e më shumë anijeve ushtarake në këtë zonë.
Ky plan thuhet se është bërë për t’u kundërpërgjigjur më lehtë kolapsit eventual të sigurisë në Irak ose konfrontimeve të mundshme ushtarake me Iranin.
Më herët këtë muaj, presidenti amerikan, Barack Obama, njoftoi se është vendosur që tërheqja e tërësishme e trupave të Shteteve të Bashkuara nga Iraku të bëhet në fund të këtij viti.
Përfundimi i luftës tetë-vjeçare në Irak hyn në kuadër të fushatës elektorale të presidentit Obama, mirëpo siç raporton The New York Times, tërheqja amerikane nga Iraku vlerësohet se mund të destabilizojë rajonin.
Gazeta bën të ditur se planet për rritjen e pranisë amerikane në këtë rajon kanë qenë në qendër të diskutimeve për muaj të tërë.