E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siri, Al-Assad paralajmëron perëndimin

Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, paralajmëroi fuqitë perëndimore për një “tërmet”, nëse do të ndërhyjnë në vendin e tij.

Në një intervistë të botuar mëngjesin e së dielës në një të përditshme britanike, Assad theksoi se çdo agresion ushtarak, do ta shndërronte Sirinë në një Afganistan të dytë, por me rrjedhoja shumë më të ndërlikuara për të gjithë botën.

Komentet e tij erdhën pasi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së bëri një thirrje të re për fundin e represionit të vazhdueshëm ndaj civilëve në Siri.

Ndërkohë, të paktën 50 persona u vranë vetëm të shtunën, në ballafaqimet me policinë. Përleshjet kryesore ndodhën në qytetin e Homsit, ku 21 civilë dhe 20 policë mbetën viktimë të sulmeve me armë zjarri.

Që prej shpërthimit të revoltave në Siri gjatë marsit, më shumë se tre mijë persona kanë humbur jetën. Al-Assad, njeriu që drejton Sirinë prej 12 vitesh, pasi trashëgoi pushtetin nga babai i tij autoritar, është duke shtypur me ashpërsi çdo revoltë.

Pavarësisht paralajmërimeve, do të jetë shumë e vështirë për forcat perëndimore të ndërhyjnë ushtarakisht në Siri, një vend që konsiderohet një alet i rëndësishëm i dy superfuqive si Rusia dhe Kina.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›