Bëhen gati
Të premten para dite në Prishtinë janë grumbulluar të gjithë futbollistët e përfaqësueses së Kosovës në futboll, të cilët janë ftuar nga selektori Albert Bunjaki për ndeshjen miqësore të së dielës ndaj Renovës. Futbollisti i Hysit, Mentor Zhdrella është i vetmi që nuk ka mundur ta pranojë ftesën e përzgjedhësit, sepse ai po vuan nga një lëndim.
Ndërsa, pasdite ekipi kosovar i udhëhequr nga Bunjaki e ka zhvilluar seancën e parë stërvitore në stadiumin ‘Agron Rama’ në Kastriot. Në këtë seancë stërvitore, i pranishëm ishte edhe ndihmësi i Bunjakit, Tor Grip, i cili më parë ka qenë ndihmëstrajner i Sven Goran Erikssonit.
“Si zakonisht, tubimi i parë, si çdo gjë duhet të parapërgatitemi. Shkoi mirë. Përgatitja u zhvillua me tension të ulët, pasi disa prej këtyre lojtarëve kanë udhëtuar, disa kanë pasur edhe lojë. Me qëllim i kam përfshirë edhe disa lojtarë të rinj, prandaj të shtunën do të përqendrohemi më shumë”, ka thënë Bunjaki pas kësaj seance stërvitore.
Për futbollistin e Bochumit, Faton Toski ndeshja ndaj Renovës do të jetë e para për të që do ta zhvillojë para tifozerisë kosovare në fanellën e reprezentacionit të Kosovës.
“Jam shumë i gëzuar që përfaqësuesja e Kosovës po grumbullohet dhe po zhvillon ndeshje me ekipe të tjera. Shpresoj që shumë shpejt do të rregullohet situata dhe të luajmë edhe ndaj përfaqësueseve të tjera”, ka thënë Toski.
“Gëzohem shumë kur kujtoj se jam bashkë me bashkatdhetarët e mi. Jam mësuar të luaj në Gjermani me lojtarë të ndryshëm dhe kur erdha këtu, të gjithë flasim shqip. Ky fakt më gëzoi shumë. Madje unë harrova që jam në vendin tim dhe fola në gjuhën gjermane”, shtoi gjilanasi.
Njëjtë u shpreh edhe sulmuesi i ri i Orebros, Kushtrim Lushtaku. “Po ndihem shumë i kënaqur. Sot ishte dita e parë e ushtrimeve. Kaluam shumë mirë. Shpresoj që edhe të dielën do të paraqitemi mirë dhe do të shënojmë fitore”, ka pohuar Lushtaku, për të cilin ndeshja ndaj ekipit shqiptar nga Maqedonia do të jetë debutuese me fanellën e përfaqësueses së Kosovës.
Ndeshja mes Kosovës e Renovës zhvillohet në stadiumin e Prishtinës, të dielën, prej orës 15:00. Deri atëherë, ekipi kosovar do t’i zhvillojë edhe dy seanca të tjera stërvitore – një të shtunën dhe një tjetër disa orë para fillimit të ndeshjes.