Behrami, blerja ideale e Fiorentinës

Nuk është një gjë e zakontë që një blerje e janarit ta ndryshojë rrjedhën e kampionatit të një ekipi. Mirëpo, kjo i ka ndodhur Valon Behramit, i cili, pasi zbarkoi në janar në Fiorentinë, e ndryshoi pamjen e ekipit nga Firenze.
Blerja e përfaqësuesit zviceran ishte zyrtarizuar më 26 janar dhe tri ditë më pas kishte zbritur në fushë në Romë, kundër ish-skuadrës së tij, Lazio, ku luante në periudhën 2005-08, para se të transferohej në West Ham United.
Djaloshi luajti vetëm 15 minuta, pa mundur të tregojë vlera, në atë që konsiderohej Fiorentina më e dobët e sezonit. Mirëpo, nga ai moment lindi një Fiorentinë tjetër, në shenjë të përforcimit Valon Behrami.
Vrapime, agresivitet, shembull për shokët, kurajë, kurajë dhe vetëm kurajë. Praktikisht, një pasqyrë komplete për ekipin e Sinisa Mihajlovicit. Pas humbjes në Olimpico, arrijnë 9 ndeshje pozitive: 4 fitore, 4 barazime dhe vetëm një humbje, nga Interi.
Sot Fiorentina është larg zonës së ekipeve të rrezikuara. Ekipi Viola tash e ndjek një ëndërr të pamundur, të quajtur Evropë. Por, mbi të gjitha është krijuar një skuadër për çdo respekt. Një skuadër e vërtetë dhe e ekuilibruar.
Nëse vazhdon me këtë ritëm, Fiorentina mund ta kapë një pozitë që çon në garat evropiane. Një gjë është e sigurt, Valon Behrami i ka ‘pushtuar’ zemrat e tifozëve të Firences.