Bakaj: Dua të luaj më shumë
Elis Bakaj po gëzon një formë shumë të mirë në Rumani. Starti që ai ka bërë me fanellën e Dinamos së Bukureshtit e ka entuziasmuar vërtet, por ai pret më shumë nga vetja. “Për këtë jam shumë i gëzuar. Jam ndier shumë mirë sepse edhe fjalët e trajnerit nuk janë pa vlerë. Është vetëm fillimi dhe më duhet pak kohë që të aktivizohem dhe ambientohem. Për një muaj nuk mund të ambientohesh edhe pse e rëndësishme është performanca në fushën e lojës. Në çdo ndeshje trajneri ka aktivizuar lojtarë ndryshëm, por unë jam optimist se gjërat do të vijnë e përmirësohen. Trajneri mundohet t’i përshtatet ekipit kundërshtar edhe pse e ndiej veten rezervë e parë dhe me një këmbë në formacion. Misteri më ka dhënë shumë dorë dhe për këtë jam i kënaqur,” ka deklaruar Bakaj që më pas është fokusuar tërësisht te kombëtarja dhe te minutazhi që ai dëshiron. “Në kombëtare dua të aktivizohem sa më shumë. Nëse aktivizohem sa më shumë do të paraqes më shumë nga vetja. Nuk mund ta quaj veten më të ri. Eksperiencën e kam. Hapin që të gjithë ma thoshin se nuk e kisha sepse nuk luaja jashtë, e arrita. Unë zëvendës i Skelës? Është një vendim që i takon trajnerit. Skela se është një nga lojtarët më të mirë në rolin ku luan që ka nxjerrë Shqipëria,” ka përfunduar Bakaj.