Ndërrojeni strategjinë
Vitet po kalojnë, derisa tifozeria kosovare vazhdon të jetë e etur për ta shikuar ndonjë ndeshje të madhe ndërkombëtare në vendin tonë.
Në fakt, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) vazhdimisht po bën përpjekje të mëdha për t’i organizuar përfaqësueses së Kosovës ndeshje miqësore - kryesisht me klube të huaja - por në shumë raste po dështon, pasi ende nuk është anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s.
Brenda dy muajve, përfaqësueses së Kosovës i dështuan dy ndeshje miqësore të paralajmëruara. Në shkurt dështoi takimi Kosovë – Dinamo Zagreb, dhe para pak ditëve dështoi edhe miqësorja tjetër, po ashtu e paralajmëruar, Kosovë – Bursaspor.
Andaj, udhëheqësit e klubeve kosovare thonë se ka ardhur koha që shtëpia e futbollit kosovar ta ndërrojë këtë strategji, për të cilën ata thonë se nuk po ndez.
Sipas tyre, tash e tutje drejtuesit e futbollit kosovar duhet të angazhohen në organizimin e miqësoreve për klubet e Superligës – të cilat vazhdojnë të mbesin ‘out’ prej garave evropiane.
Në fakt, ata pranojnë se FFK-ja nuk e ka obligim t’u organizojë miqësore të tilla klubeve, por këtë opsion e shohin si më të favorshëm. Drejtuesit e klubeve theksojnë se kriza financiare ua pamundëson atyre që të vetorganizojnë miqësore të tilla, pa i ndihmuar dikush.
“Do të ishte shumë më lehtë që ndeshjet e tilla t’iu organizohen klubeve. Por, po shihet se nuk ka vijë të mirëfilltë mes klubeve e Federatës. Palët po i marrin personale këto punë, jo e organizova unë, jo unë, e po harrojnë që një ndeshje e tillë është në interes nacional”, deklaroi për Express, nënkryetari i FC Prishtinës, Afrim Muçiqi.
Në fund të fundit, sipas Muqiçit, klubet kosovare janë të Federatës dhe se përfaqësuesja e Kosovës ndërtohet prej futbollistëve të klubeve. Këta të fundit, sipas tij, përvojat e tyre të fituara nga ndeshjet ndërkombëtare me klubet e tyre një ditë do t’i shfrytëzonin edhe me fanellën e përfaqësueses. “Prandaj, nuk ka rëndësi kush luan apo kush i organizon ndeshjet, por e rëndësishme është të zhvillohet loja”, thotë ai.
Muçiqi vuri në pah aftësinë e udhëheqësve të futbollit kosovar për të organizuar ndeshje të tilla miqësore, ndonëse pranon se nuk e kanë aq lehtë për shkak të mospranimit të FFK-së në FIFA.
“FFK-së deri më tani i kanë dështuar shtatë apo tetë ndeshje. Thoshin se po luajmë ndaj Amerikës, Brazilit, Kroacisë, Dinamos, Bursasporit, e asnjë ndeshje nuk u zhvillua. Ndeshjet e tilla nuk aranzhohen me telefon dhe tuj pi kafe, por me projekt. Palët merren vesh, nënshkruajnë kontratë, sipas së cilës pala që e prish marrëveshjen duhet të paguajë dëmshpërblim”, shtoi ai.
Njëjtë shprehet edhe kreu i Trepçës ’89, Abedin Zeka. “Nëse ia organizon një klubi kosovar një miqësore me një klub të huaj, atë ndeshje nuk mund ta pengojë askush. Federata në këtë drejtim duhet të shkojë. Më pas, në atë klub kosovar për atë ndeshje mund të ftohen edhe lojtarë nga klubet e tjera. Do të bëhej njëfarë ‘reprezentacioni’, por të thirret në emër të një klubi, me qëllim që mos të dështojë ndeshja. Ajo përvojë që fitojnë lojtarët tanë nga ajo ndeshje, një ditë mund t’i shërbejë dhe përfaqësueses”, tha Zeka.
Pak më ndryshe mendon kryetari i Besës, Agim Elshani. “Fillimisht duhet të definohet qëllimi pse po tentojmë ta organizojmë një miqësore. A po e organizojmë për shkak të promovimit të përfaqësueses sonë, apo për t’ia shuar etjen tifozerisë. Nëse e kemi për qëllim ta promovojmë përfaqësuesen, FFK-ja le të vazhdojë përpjekjet që po i bën. Por, nëse e kemi për t’ua shuar etjen tifozëve, atëherë pse mos t’i organizohet ndonjë klubi një ndeshje e tillë”, thotë Elshani.
Prej kur është emëruar Albert Bunjaku selektor, Përfaqësuesja e Kosovës i ka zhvilluar tri miqësore - dy si mysafire e Xamaxit, përkatësisht Halmstadit, dhe një tjetër në Prishtinë ndaj përzgjedhjes së Superligës së Shqipërisë. Ndërsa, ndeshja më e madhe që është zhvilluar në Kosovën e pasluftës është ajo e para disa viteve ndërmjet reprezentacionit kosovar dhe Kombëtares së Shqipërisë.