Behrami dëshiron gol kundër Juventusit

Mesfushori i Fiorentinës, Valon Behrami përgatitet për duelin me Juventusin të shtunën mbrëma në Artemio Franchi. Por, ylli kosovar ka bërë të ditur se lehtë mund të kishte zhvilluar këtë duel nën ngjyrat e Bianconerëve.
Behrami ishte një prej objektivëve kryesorë të Juventusit gjatë afatit kalimtar të janarit, por në fund mbeti në Firencë e gjiganti torinez solli mesfushorin Simone Padoin nga Atalanta. “Ekzistoi mundësia e transferimit tim në Juventus”, tha Behrami për të përditshmen sportive italiane Tuttosport të premten.
“Megjithatë, Fiorentina nuk e konsideroi shitjen time dhe unë desha të mbetem. I besoj projektit të klubit dhe më vjen mirë kur e di se klubi ka besim në mua”, shtoi ai. Behrami është në dyshim për ndeshjen kundër Juventusit për shkak të një lëndimi, por ai synon të luajë dhe për më tepër të shënojë gol kundër Bianconerëve.
“Një gol kundër Juventusit do të ishte maksimumi. Do të zbuloj një festim nëse do të realizoj”, theksoi ai. Juventus synon t’u kthehet fitoreve pas barazimeve në tri ndeshjet e fundit në Serie A, që i ka mundësuar Milanit të krijojë epërsi prej katër pikëve në krye të tabelës.
Por, Behrami ka insistuar se edhe Fiorentina synon pikë të plota nga përballja në Franchi. “Ata duan të fitojnë, por edhe ne jemi të motivuar. Duam të dëshmojmë se nuk jemi skuadër e dobët dhe duam t’u japim tifozëve gëzimin të cilin e meritojnë”, përfundoi ai.