Fusnota është kalimtare!

Edhe pse marrëveshja nuk ka sjell rezultate të kënaqshme në takimet e para rajonale, (një ditë më parë në Beograd u largua delegacioni i Kosovës, ndërsa në Sarajevë, ai i Serbisë), Selimi ka thënë se fusnota është një e arritur pozitive.
Marrëveshja, sipas tij, ka sjellë tri përparësi: 1) Kosova mundet të flasë vet, pa praninë e UNMIK-ut, në takimet rajonale; 2) Kosova mund të jetë pjesëmarrëse e marrëveshjeve shumëpalëshe, shembull kur bëhet fjalë për ndërtimin e hekurudhave, tregtinë apo sigurinë e kufijve; 3) Marrëveshja i ka dhënë orientim të qartë Kosovës drejt Bashkimit Evropian.
Selimi ka kritikuar edhe vendimin e Serbisë për të shpallur zgjedhjet lokale edhe në Kosovë. “Është provokim i Serbisë, dhe natyrisht është absolutisht i papranueshëm”, ka thënë Selimi duke shtuar se “kjo është në kundërshtim të asaj që kërkon Bashkimi evropian nga një kandidat”.
Lidhur me integrimit e veriut të Kosovës në institucionet vendore, Selimi ka thënë se është optimist, dhe se vetëm duhet kohë që serbët ta kuptojnë realitetin e ri të krijuar në Ballkan. “Ne nuk duam të nënshtrojmë serbët e veriut. Ata mund të fitojnë vetëqeverisjen sikurse edhe komunat tjera, dhe ne nuk do të impononim asgjë. Pra ata mund të jetojnë sikurse deri tani, vetëm se zëri i tyre do të dëgjohej edhe në Prishtinë”. /Telegrafi/