Sinani: Luftëtari i ka mundësitë ta përballojë Elbasanin
Gjirokastritët kanë shumë mungesa në transfertën e kësaj jave, por mbrojtësi Besmir Sinani beson për rezultat pozitiv
Besmir Sinani, mbrojtësi i hekurt i Luftëtarit prej shumë sezonesh, që i ka qëndruar besnik këtij ekipi, u bë autori i fitores së 15të me golin që realizoi ndaj Kukësit. Ai shënoi kur ekipi i tij, edhe pse kishte epërsi, po vuante për ta gjetur rrugën e rrjetës. Sinani ka mbi një dekadë që i shërben Luftëtarit, por në ndeshjen me Elbasanin nuk do të luajë, sikundër edhe gjirokastritët e tjerë Devolli, Nora, Stoja dhe Shalari, ndoshta edhe shkodrani Raboshta.
Luftëtari e priti Kukësin ambicioz në përballjen e parë në historinë e tyre, fitoi 3 pikët, por humbi shumë forca për të ardhmen e afërt. Arlind Nora, goalshënuesi më i suksesshëm i tij, humbi 11-metërshin e dytë radhazi, të parin ndaj Besëlidhjes (lind pyetja a duhej të ekzekutonte përsëri 11-metërsh).
Në vazhdim Luftëtari, që tashmë është shkëputur 7 pikë nga ndjekësi më i afërt, ka 2 ndeshje në transfertë, me Elbasanin, që ka më shumë tradita, dhe me Lushnjën, rivalin më të afërt. Janë dy ndeshje shumë delikate, që do të përcaktojnë distancat e tij me këta kundërshtarë, por edhe në rastin më të keq do të jetë përsëri kryesues, me 1 pikë diferencë. Sidoqoftë, nuk vlejnë parashikimet, sepse ndeshjet vijnë njëra pas tjetrës dhe në kombinim me gjithë rezultatet e ekipeve rivalë.
Sinani Besmir Sinani, heroi i ndeshjes së fundit, shprehet: Fitorja me Kukësin ishte e merituar dhe mund dhe duhej të ishte më e thellë. U gëzova që shënova golin e fitores si rezultat i lojës së grupit, ndërkohë që mora karton të verdhë, sepse shkova të përshëndes babanë tim përtej kufijëve të përcaktuar për gëzimin që ndeeva. Këto janë çështje të rregullores dhe nuk do të luaj ndaj Elbasanit, sepse plotësova numrin e kartonëve të verdhë.
Do të mungojnë edhe Devolli, Nora, Stoja dhe ndonjë tjetër, por shpreh bindjen se ekipi ynë i ka mundësitë që, edhe për këtë ndeshje, të nxjerrë një ekip kompetitiv për ta përballuar Elbasanin, që ka tradita dhe suksese në fushën e tij. Do të jetë ndeshje e vështirë, por shpresoj se Luftëtari do të riprezantojë fytyrën e tij të re të këtij sezoni.
5 mungesa
do të ketë ekipi gjirokastrit në ndeshjen e radhës. Trajneri Nevil Dede nuk do të ketë të gatshëm për transfertën e së shtunës kapitenin Devolli, Norën, Sinanin, Stojën dhe Shalarin. Po ashtu, në pikëpyetje është edhe aktivizimi i sulmuesit shkodran, Jasmin Raboshta
