E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çela: Lushnja shkon për fitore edhe në Lezhë

Nga Julian Kasapi

Verdhejeshilët shkojnë me skuadër të plotë në ndeshjen me Besëlidhjen dhe besojnë se nuk do të kthehen pa pikë nga kjo transfertë

Gjërat po shkojnë mbarë për Lushnjën në këtë fillim të fazës së dytë. Skuadra qëndron në vend të dytë, dhe kjo mundëson kalimin direkt në superligë. Detyra e lushnjarëve është që ta ruajnë këtë pozicion deri në fund të kampionatit, ndërsa për vendin e parë shanset duken më të pakta, pasi Luftëtari ka fituar me Kukësin dhe është shkëputur 7 pikë.

Por, asnjëherë nuk i dihet dhe verdhejeshilët janë të vetëdijshëm se duhet tia bëjnë hyzmetin çdo 90-minutëshi, duke e konsideruar si finale më vete. Me këtë mendim ata janë përgatitur edhe për sfidën e nesërme me Besëlidhjen, një rival për ngjitjen në superligë dhe që në fazën e parë ka marrë një pikë në stadiumin Roza Haxhiu, pas barazimit 1-1.

Lushnjarët e kanë të plotë grupin për këtë transfertë të vështirë dhe trajneri Malko ka mundësi zgjedhjeje. Të mërkurën stafi teknik ka testuar futbollistët e rinj në një miqësore me një skuadër nga Drenica, ndërsa titullarët janë ruajtur për ndeshjen e nesërme në Lezhë, ku synimi është fitorja.

Çela Kapiteni i skuadrës lushnjare, Gentian Çela, i cili duket më në formë se kurrë këtë kampionat, gjë që e tregoi në fitoren e thellë me Skraparin, thekson se do të kërkohen 3 pikët edhe në fushën e Besëlidhjes, edhe pse pranon se është një ndeshje me koeficient të lartë vështirësie. Këtë javë luajmë një ndeshje shumë të fortë në transfertë.

Shkojmë në fushën e Besëlidhjes, që pretendon superligën dhe kuptohet që do të bëjë gjithçka për 3 pikët, sepse luan para tifozëve të saj dhe vjen pas një humbjeje. Megjithatë, ne bëjmë llogaritë tona dhe besoj se jemi në gjendje të fitojmë edhe në transferta të vështira.

Lushnja ka një grup shumë solid futbollistësh, nuk ka mungesa dhe aktualisht jemi në formë shumë të mirë, kështu që nuk ka asrye pse të mos pretendojmë 3 pikët me Besëlidhjen, që e respektojmë për vlerat që ka, tha mes të tjerash për Sportin shqiptar mesfushori lushnjar, Gentian Çela.

Grumbullimi Lushnjarët do të lënë sot qytetin e tyre dhe do të udhëtojnë drejt Lezhës për tu sistemuar në një hotel të këtij qyteti, me qëllim që futbollistët të jenë sa më të qetë për ndeshjen e nesërme. Këtë lajm e konfirmon sekretari i klubit lushnjar, Judmir Shurdhi: Duam që skuadra të ketë të gjitha komoditetet dhe kemi vendosur që ajo të grumbullohet në Lezhë një natë para ndeshjes, tha sekretari Shurdhi.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›