Beja-Dade komentojnë deklaratat e Bildt
Mazhoranca dhe opozita e interpretojnë ndryshe deklaratën e ministrit të Jashtëm suedez, Carl Bildt. Ai tha se vonesa në shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësi në BE nuk është për shkaqe politike, por vetëm teknike. Deputeti i Partisë Demokratike, Fatos Beja, është kryetar i Komisionit të Politikës së Jashtme në Kuvend. Ai thotë se autoritetet shqiptare po shpejtojnë në plotësimin e standardeve të nevojshme dhe i bën thirrje opozitës që t‘u bashkohet këtyre përpjekjeve. "Fakti që opozita nuk vjen në Parlament nuk është e pëlqyeshme, është diçka jo pozitive, që synon të krijojë një pengesë politike", tha zoti Beja në një intervistë për BBC-në. "Nuk ka ndonjë qëndrim negativ politik ndaj Shqipërisë, por, përkundrazi, ka një mbështetje politike dhe po bëhen përpjekje që shqiptarët të përfitojnë nga lëvizja e lirë që e kanë kërkuar që prej 18 vjetësh", tha parlamentari. Sekretarja e Marrëdhënieve me Jashtë në Partinë Socialiste, Arta Dade, thotë se, pavarësisht këtyre vlerësimeve, qeveria e Kryeministrit Berisha duhet të zgjidhë krizën paszgjedhore në vend. "Shqipëria duhet ta meritojë marrjen e statusit të vendit kandidat dhe për këtë arsye duhet të ketë një vëmendje dhe sugjerim më të madh ndaj sugjerimeve që vijnë nga Brukseli", tha ajo. Zonja Dade përmendi rastin e komisionerit Olli Rehn, që i bëri thirrje qeverisë shqiptare të zgjidhë krizën paszgjedhore, duke konstatuar që është një element i cili cenon përmbushjen e standardeve politike. Shqipëria e paraqiti aplikimin për të qenë vend kandidat i BE-së në prill të këtij viti, vetëm disa ditë pasi hyri në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit. U deshën dy vjet që kjo marrëveshje të ratifikohej nga të 27 parlamentet e vendeve anëtare të BE-së. Aplikimi i Shqipërisë u bë në një kohë që vendet anëtare ishin të ndara në opinionet e tyre lidhur me kohën e paraqitjes së tij.