E Diel, 1 Nëntor 2026

Beja: Rezoluta çame u miratuanë 2004, Idrizi: Të hetohet

TIRANE-  Shqyrtimi i pr/rezoluta çame e propozuar nga Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), merr një tjetër rrjedhë kur Kryetari i Komisionit të Jashtëm Fatos Beja risolli në vëmendje rezolutën e vitit 2004 për të njëjtën çështje. Sipas Bejës rezolutë  nuk i ka marrë votat e duhura për miratim në parlament, por që mbetet ende aktive si propozim, pasi rrëzimi i saj nuk është regjistruar në fletoren zyrtare.

Në atë kohë në qeverisje ishte kryeministri Fatos Nano dhe PD e kryeministrit aktual Berisha ishte në opozitë.

Nga ana e tij Idrizi u shpreh i befasuar duke shtuar se rezoluta e 2004-s në procesverbal figuron se nuk është miratuar.

" jam i befasuar, që ju po paraqisni një rezolutë e cila qenka e miratuar në vitin 2004. Sepse në memorien historike të shqiptarëve dhe në memorien tonë dimë, që projekt rezoluta është rrëzuar në 2004. Edhe anëtarët e shoqatës Çamëria janë rrahur dhe gjakosur në dyert e parlamentit shqiptar për këtë gjë. Po të ishte miratuar do të dilte në fletore zyrtare. Kemi një vendim dhe votim të parlamentarëve që ju paraqisni në këto kushte propozoj që t’i drejtohemi kryetares së Kuvendit apo kryesisë së Kuvendit të na bëjë me dije nëse është fuqi. " tha Idrizi.

"Duhen parë arkivat e Kuvendit, di që deputetët kanë votuar në 2004. Pardje e mora vesh, edhe unë nuk e dija."- u shpreh Fatos Beja.

Deputeti tjetër i PDIU-së, Dashamir Tahiri fajësoi ish-kryetarin socialist të Kuvendit, Servet Pëllumbi, duke kërkuar shpjegime prej tij. "Ish-kreu i Kuvendit Servet Pëllumbi ka falsifikuar dokumentet".
 
Deputeti Kastriot Islami kërkoi shpjegime mbi këtë pr/rezolutë. “Parlamenti të na japë informacion mbi këtë dokument.”- tha Islami.

Mbledhja e komisionit të jashtëm u mbyll në pritje të një vendimi zyrtar nga kryetarja e kuvendit nëse ka apo jo një rezolutë të miratuar në 2004-ën dhë nëse po si do të procedohet më tej.

ISH KRYETARI I SHOQATES CAMERIA: REZOLUTA S'U MIRATUA NE 2004
Ish kryetari i Shoqatës së Çamërisë, Servet Mehmeti në një prononcim për TVA1REPORT mohon që kjo rezolutë të jetë kaluar nga Parlamenti në 2004.
“Rezoluta çame nuk ka kaluar në Kuvend në 2004. Servet Pëllumbi ka raportuar 53 vota pro, 57 abstenim dhe 4 kundër.” - kujton Mehmeti duke shtuar se ish-kreu i shoqatës Çamëria ka protestuar para Kuvendit pse nuk u miratua. Madje ai kujton se ndaj tij është ushtruar dhunë, ndaj shoqatës Çamëria e cila protestonte tek hyrja e Kuvendit.

ILIR BABARAMO: REZOLUTA NE 2004 S'U VOTUA, NE SEANCE NUK ISHTE AS NANO AS BERISHA
Drejtori i Përgjithshëm i TV A1 REPORT, Ilir Babaramo kujton se në pranverën e 2004 rezoluta nuk është aprovuar. “Në atë periudhë kryeministër ishte Fatos Nano ndërsa kryetari i PD-së ishte Berisha, dhe të dy në atë seancë nuk kanë qenë të pranishëm. Unë e mbaj mend shumë mirë. Nëse hapen procesverbalet çdo gjë del e qartë. Të dyja palët u përpoqën të mos ngacmonin fqinjët. Situata ishte dramatike sa jashtë sallës së Kuvendit ishin qindra pjesëtarë të shoqatës Çamëria të cilët po protestonin pasi kërkonin miratimin e rezolutës dhe ndaj tyre ushtrua dhunë shumë e egër. Drejtuesit e asaj shoqate u shoqëruan në polici nën akuzën e protestave të paligjshme. Dhunë u ushtrua edhe ndaj tyre. E kujtoj që në emisionin tim erdhi Servet Mehmeti dhe kishte plagë në fytyrë nga dhuna”- kujton Ilir Baramo.

Drejtori i Përgjithshëm i TVA1 REPORT! thotë se “Politika shqiptare po përpiqet që me këtë artificë të kalojë situatën e krijuar, komplekse ku po flitet për koalicione parazgjedhore."

IDRIZI KERKOI DHE SHQYRTIMIN E PR/ REZOLUTES ALTERNATIVE TE PS
Gjatë mbledhjes Idrizi i kërkoi komisionit të Jashtëm të marrë në shqyrtim dhe pr/rezolutën alternativë të ofruar nga Partia Socialiste.
"Ne tani kemi dy propozime, të shqyrtohet edhe ajo e PS. Të arrihet në një rezolutë konsensuale e unifikuar. Ne kërkojmë riaktivizimin e traktatit të miqësisë me Greqinë. Rishikojeni me kujdes traktatin e miqësisë, merreni si pikë reference”- tha Idrizi.

Në mbledhjen e fundit të komisionit (5 prill), dy relatorët, Fatbardh Kadilli (PD) dhe Qemal Minxhozi (PS) kërkuan më shumë kohë në hartimin e një drafti përfundimtar, ndërsa mbledhja u shoqërua me debate të ashpra mes deputetëve të PDIU-së dhe deputetit të PBDNJ-së, Vangjel Dule.

Ky i fundit u shpreh kundër shqyrtimit të pr/rezolutës me argumentin se është e papërcaktuar në procedurat ligjore. Por, sipas Idrizit, diskutimi i rezolutës është në mbështetje të ligjit dhe çështja çame duhet të zgjidhet.

Dy ditë më parë, Partia Socialiste propozoi një pr/rezolutë të sajën për çështjen çame. Në prezantimin e saj kryetari i PS-së, Edi Rama, tha se kjo çështje duhet të trajtohet në përputhje me normat e gjithëpranuara të së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, si një çështje politike në marrëdhëniet me Greqinë dhe për të cilën kryeministri shqiptar do të duhet të raportojë dy herë në vit në parlament për ecurinë e saj.
Propozimi socialist u përshëndet nga kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, i cili kërkoi që komisioni i jashtëm të angazhohet në konsultime që të përfshijnë edhe propozime të tjera.

Votimi i rezolutës çame në Kuvend është vendosur si kusht nga PDIU për përfshirjen e saj në aleancat parazgjedhore. Rezoluta e depozituar në Kuvend në dhjetor 2012, ndër të tjera "njeh, mbështet dhe angazhohet për nevojën e restaurimit të të gjithë të drejtave të shqiptarëve çamë, dikur nënshtetas grekë, në përputhje me rrethanat e reja, sipas parimeve të legjislacionit ndërkombëtar mbi genocidin, spastrimin etnik, procesin e rregullt ligjor, mosdiskriminimin mbi bazë të kombësisë, e parimet e tjera të ndërlidhura me to, si dhe frymën e Traktatit të Miqësisë midis dy vendeve".

(sg/shqiptarja.com)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›