E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beja: Rrogat e arsimtarëve do të rriten me 14% më 2009



Pagat e arsimtarëve në shkollat nëntëvjeçare do të rriten me 14 për qind gjatë vitit 2009. Deklarata është kryer nga ministri i Arsimit, z. Fatos Beja, gjatë dëgjimit në Komisionin kuvendor të Edukimit. Ai shprehu gjithashtu edhe problematikën e arsimit profesional në Shqipëri, i cili nuk parapëlqehet për shkak të dëshirës së nxënësve për të pasur një diplomë universitare. Ndërkohë që theksoi se gjatë vitit 2009 do të përmirësohet autonomia universitare, çka është kërkuar me ngulm nga aktorët e botës akademike.

Arsimi profesional, i papëlqyer

Ministri i Arsimit shprehu dyshimet e tij në lidhje me zhvillimin e arsimit profesional, sipas strategjisë, e cila parashikon që deri në fund të vitit të ardhshëm të jenë 40% e nxënësve të shkollave të mesme, në shkolla profesionale. Kjo, pasi sipas tij, sepse nxënësit dëshirojnë vetëm diplomën universitare dhe nuk pranojnë diplomat e shkollave të mesme profesionale.

"Qeveria ka shprehur objektivin e saj si dhe ka shtrirë bashkëpunimin me institucionet e huaja për nxitjen e këtij arsimi, por zgjedhjen e kanë në dorë vetë nxënësit, të cilët deri tani kanë qenë të prirur drejt arsimit të mesëm të përgjithshëm", – tha z. Beja.

Ndërkohë, sipas tij, situata me mbipopullimin e shkollave të mesme vazhdon të jetë shqetësuese, edhe pse gjendja është përmirësuar.

"Në Tiranë kemi vetëm një klasë me 41 nxënës, ndërsa mesatarja e numrit të nxënësve për klasë është 38.5 nxënës", - tha Ministri Beja. Objektivi i programit qeverisës është reduktimi i numrit të nxënësve 25-30 për klasë.

Rritja e pagave

Ministri Beja shpalosi gjithashtu edhe disa detaje të buxhetit për arsimin për vitin 2009. Sipas tij, fondi i arsimit është rritur në 41 miliardë e 169 milionë lekë, nga 36,9 miliardë që ka qenë në 2008-ën.

"Parashikohet edhe rritja e pagave të mësuesve të sistemit të arsimit parauniversitar me 14 për qind me qëllim dyfishimin deri në vitin 2009, si dhe rritja e diferencuar e pagave të punonjësve të sistemit të arsimit universitar, – tha ministri Beja. - Shpenzimet e tjera korrente janë parashikuar të rriten me 168 për qind krahasuar me buxhetin suplementar të vitit 2008, duke reflektuar efektet e zbatimit të reformës në arsimin e lartë. Shpenzimet për investime parashikohen të rriten me 36 për qind në vit, duke pasur parasysh përmirësimin dhe zgjerimin e infrastrukturës së arsimit në të gjitha nivelet, me qëllim uljen e numrit të nxënësve nëpër klasa”.

Nga investimet,3.2 miliardë investime do të shkojnë në arsimin bazë, 912 milionë lekë në arsimin e mesëm, 1.8 miliardë investime do të shkojnë për arsimin e lartë dhe 330 milionë lekë do të jetë fondi për kërkimin shkencor.

Ministri gjithashtu theksoi se këtë vit do të përmirësohet autonomia universitare. "Parashikohet sigurimi i autonomisë së institucioneve të arsimit të lartë universitar në zbatim të ligjit të ri të arsimit të lartë", – theksoi ai.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›