E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duro: Regjistër kombëtar për emigrantët



Ministri i Punës, z. Anastas Duro, ka paralajmëruar krijimin e regjistrit kombëtar për emigrantët, të cilin e ka cilësuar si prioritetin kryesor të dikasterit që drejton. Sipas Duros, ky regjistër do të shërbejë për vjeljen e rezultateve statistikore, që do të ndihmojë kanalizimin e reformave, por mbi të gjitha përmirësimin e kushteve të jetës së emigrantëve, nëpërmjet marrëveshjeve me shtetet pritëse. Deklarata e z. Duro është kryer gjatë takimit me shefen e misionit të Organizatës Ndërkombëtare të Emigracionit, IOM, në Shqipëri, znj. Nikoleta Xhordano.

Projekti

“Ne mendojmë se ka ardhur koha dhe nuk duhet vonuar në çeljen e një projekti për krijimin e regjistrit të emigrantëve. Ky regjistër nuk do të shërbejë thjesht dhe vetëm për statistika, por veçanërisht për të ndërtuar politika eficente për mbështetjen, mbrojtjen, por edhe rikthimin e pothuaj një të tretës së popullsisë”, – tha ministri Duro. Ai theksoi se marrëveshjet dypalëshe gjejnë pengesë pikërisht nga mungesa e regjistrit.

“Mungesa e këtij regjistri bën që ne të hasim në pengesa dhe vështirësi në iniciativat tona për të kontaktuar me vendet pritëse të emigrantëve për të filluar procesin e draftimit dhe nënshkrimit të marrëveshjeve dypalëshe në fushën e punësimit dhe mbrojtjes reciproke sociale”, – tha ministri Duro.

Gjatë takimit, projekti u mbështet edhe nga shefja e IOM-së, znj. Nikoleta Xhordano, e cila tha se organizata do të bashkëpunojë për çdo reformë me qeverinë. “IOM dhe zyra e saj në Shqipëri, janë të gatshme të ofrojnë bashkëpunimin e tyre në realizmin e këtyre programeve, por edhe programe të reja, duke iu përgjigjur kërkesave dhe nevojave të institucioneve qeveritare shqiptare”, – tha znj. Xhordano.

Bashkëpunimi

Organizata Ndërkombëtare e Emigracionit dhe Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta kanë bashkëpunuar vazhdimisht për krijimin e një kuadri ligjor për emigracionin dhe përmirësimin e kushteve të emigrantëve.

Ministri Duro vlerësoi kontributin që zyra e IOM-së në Tiranë jep në fushën e migracionit dhe nivelin e lartë të bashkëpunimit të saj me institucionet e qeverisë, veçanërisht me Ministrinë e Punës. Sipas ministrit të Punës, përvoja e mirë e bashkëpunimit te strukturave të qeverisë me zyrën e IOM-së në fusha të tilla si, hartimi i një legjislacioni bashkëkohor dhe në përputhje me standarde ndërkombëtare në fushën e migracionit, hartimi dhe zbatimi i projekteve të tilla si ai për Zhvillimin e Strategjisë për Menaxhimin e Emigracionit, kurorëzuar me miratimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Emigracionin, projekti për Remitancat etj. duhet të zgjerohet dhe të shtrihet edhe në fusha të tjera.

Në fund të takimit, Duro dhe Xhordano, duke pranuar se mbetet shumë për të bërë në fushën e emigracionit dhe përmirësimit të politikave dhe zbatimit të tyre, theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm në këtë fushë.

ISHP

Grup pune për kontrollin e inspektorëve

Inspektorati Shtetëror i Punës ka ngritur dje grupin e posaçëm të kontrollit për të verifikuar punën e inspektorëve të punës në kryeqytet, ku ushtrojnë veprimtari rreth 25 mijë subjekte private. "Grupi do të kontrollojë cilësinë e punës së inspektorëve në terren, pasi vihet re se ka fiktivitet në paraqitjen e të dhënave gjatë kontrollit të zbatimit të legjislacionit të punës për kushtet e punës", - deklaroi dje Thoma Miço, drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Punës. Sipas tij, përgjatë dy javëve, grupi i kontrollit do të mbikëqyrë inspektorët e punës edhe në terren. "Funksionimi i grupit do të jetë në varësi të informacionit që do të mblidhet, pasi nëse konstatohet mangësi në punën e inspektorëve të punës, atëherë grupi i posaçëm i kontrollit do të operojë me punën e tij edhe më tej", - tha Miço. Pas kontrollit në Tiranë, grupe të tilla do të ngrihen edhe në rrethet e tjera. Miço theksoi se ngritja e grupit të posaçëm të kontrollit, u shtohet masave të tjera të marra për rritjen e efiçencës gjatë ushtrimit të kontrollit nga inspektorët e punës për të rritur cilësinë e punës së tyre.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›