E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fshati i vejushave dhe jetimëve

Krusha e Vogël, një fshat i vogël pranë Prizrenit, afër kufirit me Shqipërinë, ka një popullsi prej 700 vetësh, përfshirë 82 vejusha dhe 145 jetimë. Në 26 mars 1999, forcat serbe zunë 70% të burrave të fshatit, 114 vetë, dhe i ekzekutuan. Ata i dogjën trupat; autoritetet kanë zbuluar e identifikuar vetëm 23 prej tyre deri tani.

Rreth 2,000 vetë mbeten të humbur që nga konflikti dhe midis tyre janë 91 meshkuj nga Krusha e Vogël. Gjashtë meshkuj nga Krusha e Vogël i shpëtuan masakrës dhe arritën të iknin. Një nga të mbijetuarit, Qamil Shehu, humbi dy djemtë e vet, tre vëllezër dhe shtatë nipër. Ai i pa ata të vdisnin pasi qenë qëlluar me mitralozë. Dy nga të mbijetuarit nga Krusha e Vogël dëshmuan përpara Gjykatës Penale Ndërkombëtare për krimet e luftës të ish-Jugosllavisë në Hagë kundër ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç.

Sot, Krusha e Vogël është një fshat tipik kosovar ku vejushat, fëmijët e tyre dhe jetimët përbëjnë shumicën e popullsisë. Me 70% të popullsisë meshkuj të vdekur apo të humbur, grave u duhet të mbajnë familjet e tyre dhe të rritin fëmijët e tyre. Ato kultivojnë domate, patate dhe speca dhe i shesin prodhimet në tregun e Prizrenit. Shumë familje varen nga ndihma shoqërore, që kohët e fundit u rrit nga 45 në 130 euro në muaj.

Agron Limani, 41 vjeç, një inxhinier elektrik, po shkruan një libër mbi ngjarjet gjatë konfliktit në Krushën e Vogël për të bërë publike nevojat e të vejave dhe jetimëve.

Limani thotë se kjo jetë në fshatin e tij është e vështirë. Njerëzit mezi ia dalin të blejnë vetëm gjërat bazë: miell, djathë, çaj, qumësht dhe makarona.

"Ndodh shpesh të mbetemi pa një lek", - thotë Limani. Kohët e fundit, një kompani lokale dërgoi qumësht për fëmijët e Krushës së Vogël, por Limani vë në dukje se "ajo çka vërtet ndihmon... është një lloj biznesi i vogël që do të ofronte punë".

"Lufta fshiu shumicën e burrave dhe la gratë e fëmijët në varfëri", - thotë Limani që po mbush faqet e librit të tij me dëshmitë e një prej masakrave më të këqija në Kosovë.

Në vitin 2006, Asambleja Kombëtare e Kosovës kaloi një ligj për caktimin e fondeve të posaçme për të ndihmuar veteranët dhe viktimat civile të luftës. Pagesat filluan më 1 mars 2008.

Në korrik 2007, qeveria nisi të hartonte një ligj në përfitim të familjeve me persona të humbur. Institucionet lokale e ndërkombëtare, përfaqësues të familjeve e shoqatave për të afërmit e personave të humbur, po ndihmojnë të hartohet ligji.

Projektligji parashikon një rritje në ndihmën financiare, të drejtën për të ditur dhe të drejtën për t'u informuar. Ai përfshin gjithashtu të drejtën e të afërmve për të shënuar vendet e varreve dhe përkujtimoret si një tribut për të humburit.

Familjet u përpoqën shumë t'i bëjnë autoritetet të procedojnë vrasësit. Instituti për Raportimin e Luftës e Paqes (IWPR) raportoi se familjet e mbetura shkretë të fshatit donin veprim ligjor kundër 54 serbëve dhe dy romëve që ato i cilësonin përgjegjës për zhdukjen e të afërmve të tyre në fund të marsit 1999. Inkurajuar nga një rrjet OJQ-sh lokale, ato e dërguan rastin e tyre, i pari i këtij lloji në Kosovë, te prokurori publik në gjykatën e qarkut të Prishtinës.

IWPR-ja citonte gjithashtu juristin e Qendrës së Ligjit Ndërkombëtar me bazë në Beograd, Teki Bokshi, të thoshte se "deri tani drejtësia ka pasë kërkuar vetëm për ata që vdiqën gjatë luftës në Kosovë, por nuk është e ndershme për të humburit që të privohen nga drejtësia vetëm pse nuk kanë një kufomë për të provuar krimin; marrja masive peng është gjithashtu një krim".

“Familjet e të humburve dhe përkrahësit e tyre besojnë se shpresa e fajësimit do të shpjerë më së fundi në një shkallë drejtësie dhe së paku t'u kthejë mendjen serbëve të Kosovës të përzier në krim, për të mos u kthyer në rajon”, - thoshte IWPR-ja.

Dosjet e krimeve të luftës duan ende shqyrtim. Misioni i ri evropian në Kosovë do të duhet të kujdeset për to me gjykatësit e prokurorët e vet. Ky amanet do të jetë një nga detyrat më të vështira, i lënë mënjanë për gati dhjetë vjet tani.

Por ajo që familjet e të humburve të Krushës së Vogël duan mbi të gjitha është një shenjë e qartë se vrasësit nuk do të jenë në gjendje të shpëtojnë të pandëshkuar përjetë. "Drejtësia nuk është bërë ende", - thotë Limani.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›