E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet parku energjetik në Durrës

KRRT-ja e qarkut të Durrësit miratoi dje masterplanin e parkut energjetik. Projekti parashikohet që t’i japë një zhvillim më të madh kësaj zone, si dhe do të prodhojë energji elektrike. Kështu, brenda një afati kohor 3-mujor masterplani do t’i paraqitet KRRTRSH-së e cila do të vërë vulën e fundit miratimit të tij. Dje në mesditë, KRRT-ja e qarkut të Durrësit miratoi edhe lejen për realizimin e punimeve civile nga ana OST-së për ndërtimin e linjës 400 kv Tiranë –Podgoricë,një pjesë e së cilës kalon nëpër territorin e Durrësit.

Parku energjetik

Në mbledhjen e djeshme, KRRT-së së qarkut të Durrësit iu paraqit masterplani i parkut energjitik, i cili është përgatitur nga Ministria e Ekonomisë dhe Energjitikës, Ministria e Financave si dhe Universiteti Politeknik. Materiali përmbante sipërfaqen ku do të ndërtohet parku, ndikimin ekonomik si dhe studimin mjedisor të territorit. Parku do të ndërtohet në territorin e komunës së Katundit të Ri, i cili është krejtësisht i pashfrytëzueshëm për shkak të përmbajtjes së tokës, që ka përqindje të larta kripe. Grupi i punës kishte marrë në studim një sipërfaqe toke prej 1367 ha. Ajo përbëhej nga 1166 ha tokë bujqësore për shkak se ndodhet në zonë rurale, 45 ha pyll bimësi të ulët dhe 144 ha tokë pa frut ose ligatinë. Prej tyre u përzgjodhën 810 ha për ndërtimin e parkut energjitik.

Në këtë sipërfaqe është parashikuar që ndërtimet e objekteve energjitike të zënë një sipërfaqe prej 715 hektarësh. Relatuesit e masterplanit dhanë garanci se zona nuk do të ketë ndotje, pasi do të aplikohet teknologji moderne në ndërtimin e veprave të ndryshme. Dy javë më parë ky studim kishte marrë edhe miratimin e banorëve të komunës së Katundit të Ri. Gjithashtu, studimi parashikon punësimin e një numri të madh banorësh nëpër veprat e parkut. Ai parashikon gjithashtu prodhimin e energjisë elektrike për nevojat e vendit dhe për eksport. Kjo sipërfaqe është klasifikuar si tokë bujqësore dhe është ndarë me ligjin 7501, ndërkohë do të jetë shteti ai që do të negociojë mes pronarëve të tokës dhe kompanive që do të afrohen për të ngritur vepra të ndryshme, duke mundësuar në këtë mënyrë realizimin e transaksioneve mes tyre. Masterplani nuk merr përsipër të japë sqarime për ndërtimin e veprave, pasi ato do të kalojnë në procedurë një më një dhe kjo i përket një faze tjetër të projektit.

KRRT, “OK” linjës së interkonjeksionit

KRRT-ja e qarkut të Durrësit miratoi dje edhe kërkesën për leje ndërtimi të depozituar nga OST-ja për projektin e linjës 400 kv Tiranë-Podgoricë për pjesën që përshkon territorin e Durrësit. Ky është një projekt me vlerë 48 milionë euro të cilat janë siguruar nga banka gjermane KFW. Projekti parashikon që të garantojë furnizim me energji elektrike në mënyrë të ndërsjellë ndërmjet vendit tonë dhe Malit të Zi. Vlera e punimeve në pjesën e Durrësit arrin një vlerë prej 2,1 milionë eurosh. KRRT-ja, pasi u njoh me këtë projekt si dhe me impaktet e tij në mjedis, e miratoi ndërtimin e tij në territorin e Durrësit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›