E Shtunë, 31 Tetor 2026

Risi e strategjisë së re, vjetërsia e saj

Nuk ka asgjë më të lehtë se sa ta gënjesh atë
i cili ka dëshirë të gënjehet

Avni Klinaku*

Pasi që njeriu ta ketë lexuar strategjinë e re
për veriun e Kosovës të përfaqësuesit ndërkombëtar të zyrës civile, z. Piter
Feith, nuk mund të mos ndalet e të mendojë: a thua përfaqësuesit e faktorëve
ndërkombëtarë në Kosovë të jenë kaq injorantë?!

Apo mos ndoshta ata për vete janë të zgjuar
dhe e dinë se çka janë duke kërkuar nga situata, por po na konsiderojnë ne
injorantë!? Deri te këto përfundime të çon pashmangshmërisht analiza e
zhvillimit të situatës së deritashme në veri të Kosovës dhe strategjia më e
re për zgjidhjen e saj.

Në strategjinë e re për veriun nuk ka asgjë të
re! Aty janë të përshkruar tezat e vjetruara e të përsëritura tash e dhjetë
vjet! Tezat e vjetruara e të pasuksesshme! Qasje e njëjtë ndaj problemit!
Dinamikë e njëjtë! Metoda të njëjta pune!

Katër shtyllat në të cilat është bazuar
strategjia e re janë konsumuar e stërvjetruar me kohë.

1) Komunë e re e Mitrovicës veriore,

2) zgjedhje lokale në Leposaviq në bazë të
kornizës ligjore të Kosovës,

3) strukturat paralele do të margjinalizohen
dhe Zyra e UNMIK-ut në veri të Mitrovicës do të mbyllet,

4) EULEX-i do ta forcojë praninë e vet në
tërë pjesën veriore të Kosovës dhe do ta forcojë në mënyrë të dukshme sundimin
e ligjit, janë këto katër shtyllat e strategjisë së re të cilat ne i kemi
dëgjuar mijëra herë, deri në monotoni! Këtu nuk ka asgjë të re!

Për më tepër, edhe strategjia e vjetër për
veriun, e pasqyruar besnikërisht në të renë është e ndërtuar mbi tri premisa të
gabuara, të cilat nuk të japin asnjë mundësi për sukses.

Së pari, sipas strategjisë së re dhe të vjetër
nuk paska çështje të pazgjidhur shqiptare, së dyti, me pavarësinë e Kosovës
paska marrë fund çështja shqiptaro-serbe, pavarësisht Preshevës, Bujanocit, Medvegjës
e veriut të Kosovës, kurse Kosova mbetet tokë e askujt dhe, së treti, çështja e
qytetit të Mitrovicës e fshatrave përreth paska mundësi të zgjidhet pa marrë
parasysh faktin se nga ato troje janë shpërngulur dhjetëra mijëra shqiptarë dhe
në pronat e tyre janë vendosur uzurpatorët serbë.

Kështu nuk zgjidhet asgjë! Kështu vetëm sa
komplikohet problemi e nxiten edhe më tepër ambiciet shoviniste serbe e
njëherësh ruhen e forcohen edhe tensionet ndëretnike.

Mirëpo, kur faktorët ndërkombëtarë na e shesin
një strategji të tillë si të re ata nuk janë fare injorantë dhe e dinë shumë
mirë çka janë duke kërkuar nga situata në krejt Kosovën e sidomos në veri të
saj.

Ata nuk e konsiderojnë as popullin injorant. Por
ata e kanë kuptuar shumë mirë se qeveria e dizajnuar nga vetë ata është e aftë
që për shkak të privilegjeve që i gëzon nga pushteti të shtiret si injorante. Prandaj
strategjia e vjetër shitet si strategji e re.

(*) Dërguar nga autori, kryetar i Lëvizjes për
Bashkim

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›