E Shtunë, 31 Tetor 2026

KËRKO(J)HEN NJERËZ ME DËSHIRË TË MIRË

Disa ditë më parë, në Italinë fqinje, as nuk mendohej të flitej për dashuri, të paktën në politikë. Por pikërisht këtë po bën Kryeministri Berlusconi, i cili shokoi botën politike dhe opinionin publik duke thënë: “Po i japim jetë një partie dashurie”, shprehje e cila u interpretua, në forma të ndryshme. Disa arritën deri atje, sa të mendonin se Berlusconi dëshiron që të ndërrojë emrin e partisë nga Populli i Lirisë, në Partinë e Dashurisë. Ndërsa shumica mendon se “Partia e Dashurisë” është një mënyrë për të shtensionuar klimën, ku mazhoranca dhe opozita të punojnë së bashku, duke lënë mënjanë “luftën”. Pas daljes nga spitali, ai u shpreh se në memorien e tij do t’i mbesnin dy gjëra: urrejtja e pakicës dhe dashuria e shumicës. Gjithçka lindi, kur një nga kundërshtarët më të egër të Kryeministrit italian u shpreh në mënyrë ironike për mbështetësit e Berlusconit, si “partia e dashurisë”. Dhe kreu i ekzekutivit pa asnjë hezitim pohoi se është mjaft serioz dhe pa asnjë ironi, kur u shpreh se po i jep jetë një partie dashurie. “Të jemi të gjithë së bashku, njerëz me dëshirë të mirë, që besojnë në dashurinë: Viti 2010 do të jetë viti i reformave në të gjitha drejtimet”, - theksoi ai. Pikërisht tek “reformat për t'u bërë”, shumë ekspertë të politikës janë të bindur që kur kreu flet për “dashurinë”, i zgjat dorën opozitës të lërë polemikat, për një klimë bashkëpunimi, për të bërë reformat kushtetuese, në mënyrë që të realizohen ligje për mirëfunksionimin e shtetit. Reagimet e opozitës ishin të ndryshme. Sekretari i Partisë Demokratike Pier Luigi Bersani dha përshtypjen e shtrirjes së dorës me kujdes për disponibilitet reformash. Ndërsa kreu i grupit të dhomës së deputetëve të Partisë së Demokratëve, Dario Franceschini i kritikoi propozimet e dialogut, duke e konsideruar ashpërsinë dhe përplasjet politike, sinonim të një demokracie të shëndetshme. Ekstrem ishte reagimi i Antonio Di Pietros, duke e konsideruar Berlusconin një djall.
Për këtë nismë të fundit ku është përfshirë e tërë politika italiane, ka dhe shumë opinione politikanësh. Për Alessandra Mussolinin, vuajtja nga agresioni i shkaktuar mund të bëhet i vlefshëm n.q.s. bind politikën që të ulë tonet. Bashkëpunimi, sipas saj, nuk bëhet vetëm me fjalë, por me fakte dhe duhet dëshirë e mirë nga të dyja palët. Bruno Vespa mendon se është një slogan i lançuar në një stinë dialogu, për të krijuar në botën politike një klimë respekti reciprok. Në fakt, fjala dashuri tingëllon shumë idealiste në botën politike. Deri më sot, politika ka manifestuar pikërisht të kundërtën e dashurisë ose më saktë e ka treguar me fjalë, por jo me vepra. Politika është konsideruar nga politologë më shumë se dashuri, “urrejtje e organizuar”. Nga disa të tjerë, politika konsiderohet luftë dhe kompeticion, ku mund të mos e urresh kundërshtarin, por nuk mund ta duash atë. Megjithatë, po konsiderohet një lëvizje me efekt të madh. I ka atribuuar “ekskluzivisht” partisë së tij vlera pozitive, si dashuria dhe liria. Kjo nuk është një shpikje e Berlusconit, është një truk antik, si i forcave të djathta, edhe i atyre të majta, sepse komunikimi politik ka nevojë për mesazhe elementare, që përthithen lehtë nga truri i të gjithëve. Shoqëria njerëzore historikisht ka qenë e ndjeshme ndaj disa koncepteve të thjeshta, nocioneve sociale si liria, drejtësia, kategorive estetike, si e bukura. Edhe me këtë atraksion apo dobësi ka manipuluar politika, në të gjithë dialogun e gjatë me elektoratin, por që është gjithmonë i efektshëm. Kreu i ekzekutivit italian përdor një simbol, “dashurinë”, për të arritur tek thelbi, bashkëpunimi për reformat.
Në Shqipëri, një hap i tillë, një nismë e ngjashme, kjo simbolikë, kjo shprehje, mbase nuk do t'i bënte politikanët tanë të qeshnin, pasi në këta 19 vjet diçka kanë mësuar nga profesioni i politikës, por do të buzëqeshnin apo nënqeshnin. Duket disi e ngjashme situata politike në Shqipëri, për sa i përket acarimit dhe përplasjeve politike, me atë në Itali. Njëkohësisht, duken dhe shumë të largëta për politikën shqiptare metodikat elegante dhe tejet të paqta të “dashurisë berluskoniane”. Njëshi i ekzekutivit njihet për lëvizjet e tij të sakta, kur e nis një luftë dhe kur është koha e saktë për ta pushuar atë. Ka një orë, kur armët ulen. Kjo orë pushimi, nuk po gjendet ende në Shqipëri. Ekziston ende paraliza totale e opozitës, në lëvizjen e saj të domosdoshme politike, hyrjen në Parlament. Me zhvillimin e demokracisë dhe përpunimin e formave të ndryshme sa më efikase për një funksionim sa më të mirë të shtetit, disa forma mbeten hibride. Dhe i tillë ka mbetur bojkoti në Evropën Perëndimore. Dëgjon në Shqipëri zëra analistësh se këto vende të zhvilluara nuk e përdorin bojkotin, pasi ato tashmë “lulëzojnë”, në liri dhe drejtësi. Por në fakt, zhurma më e madhe që po zhvillohet në Itali është pikërisht për sistemin e drejtësisë dhe domosdoshmëria e reformimit të tij. Shigjeta nga ana e Berlusconit është drejtuar pikërisht tek prokurorët, që sipas tij, janë emërime politike. Pjesa më e madhe e tyre janë të majtë dhe të emëruar politikisht nga presidentët (pretendon Berlusconi). N.q.s. ka pushtet të superkritikuar në Itali është pikërisht pushteti i gjyqësorit, për të cilin sot në Itali kërkohen reformat të thella. Ashtu siç dëgjon në median shqiptare për “kolegj të kapur”, ashtu akuzon edhe Berlusconi “prokurorë të kapur” nga mafia, të cilët e godasin politikisht, juridikisht, moralisht (është hedhur ideja, që këto sulme degraduan edhe në sulmin e tij fizik). Berlusconi, në të njëjtën kohë, akuzohet për lidhje me mafian, ndërhyrje në pushtetet, “kapje të medias”. Por, megjithëse Italia realisht nuk lulëzuaka në drejtësi dhe liri, përsëri nuk e përdor bojkotin si mjet të luftës politike. Francezët aktualisht, po vënë në diskutim serioz, nëse rezultoi pozitive zgjedhja e Sarkozysë në krye të ekzekutivit dhe Presidencës. Sarkozy është sot shumë i kritikuar për ndërhyrje mjaft autoritariste, duke e cilësuar atë “një Napoleon të dytë”. Ai akuzohet për shfrytëzim të postit, për nepotizëm. Edhe Franca realisht nuk lulëzuaka në liri dhe drejtësi, por nuk e përdor bojkotin, megjithëse nuk e përjashton faktin, që është formë demokratike.
Jemi në nivel më inferior se këto vende për sa i përket lirisë, drejtësisë, të drejtave të njeriut? Po, jemi më inferiorë. Prandaj jemi edhe larg tyre. Prandaj po bëhen të gjitha përpjekjet qër të qenë pjesë me to. Prandaj, Evropa po këmbëngul për reformat, që ne të ecim përpara, edhe në fushën e drejtësisë, edhe të lirisë, edhe të të drejtave të njeriut. Por, këto reforma për mirëfunksionimin e shtetit nuk mund të realizohen jashtë Parlamentit dhe pa opozitën. “Kërkoj njerëz me vullnet dhe dëshirë të mirë”, - thotë Berlusconi, brenda shtetit të tij. “Vullnet dhe dëshirë të mirë për reforma”, - i kërkon Këshilli i Evropës Shqipërisë.
Disa thonë se në Shqipëri ka bojkot, sepse nuk ka drejtësi. Si mund të kërkosh drejtësi, duke shkelur ligjin. Bojkoti kërkon hapjen e kutive, kur për to është marrë një vendim gjykate. Do t'i respektojmë vendimet e gjykatës apo jo? Kur u bindemi këtyre vendimeve, anatemohemi se “fshihemi pas vendimeve të gjykatës”. Po të mos zbatojmë vendimet, hidhen akuza për shpërfillje të pushtetit të tretë, atij të gjyqësorit. Do ta zbatojmë apo nuk do ta zbatojmë ligjin? Kjo nuk mund të jetë dilemë dhe nuk duhet të vihet më në diskutim. Ekziston një injorancë e thellë juridike. Dhe këtë e kupton kur lexon shprehje si “vetëm ai që ka vjedhur, refuzon me anë pretekstesh procedurale, transparencën që nuk mund të cenojë kurrë të drejtën”. N.q.s. do ta njohim pak më mirë jurisprudencën dhe modelet evropiane, do të shohim që jo hajduti, por edhe krimineli më i rrezikshëm lirohet automatikisht, për gabimin më të vogël procedural, nga ana e drejtësisë. Kjo është jurisprudenca, pa spërdredhje politike. Analistët hedhin idenë, që ligji nuk duhet të jetë vetëm juridik, por edhe politik. N.q.s. ligjit do t'i jepnim ngjyrim politik, do të thotë t'u hapnim rrugë në mënyrë të vazhdueshme konflikteve të dy palëve, që janë të kundërta si krah politik, po që pretendojnë të jenë të barabartë në potencialin njerëzor dhe intelektual, përpara elektoratit, në mundësinë për të marrë pushtetin. Ajo që njerëzimi ka vënë, që në krijimin e shoqërisë moderne, të ashtuquajturën “extra partes”, është pikërisht ligji. Ai qëndron mbi çdo ideologji që ndryshon kohë pas kohe, mbi çdo parti, apo edhe mbi kryetarët e tyre. Prandaj, ligji është sanksionuar si i tillë, mbi të gjithë. Ligji është urdhërues dhe detyrues. Jemi të detyruar t'i bindemi atij. Këtë ligj kushtetues, Rama, apo forca politike që ai përfaqëson e kanë hartuar vetë dhe nuk mund të dale sot dhe ta konsiderojë të pavlefshëm. Ligjet kushtetuese nuk janë copa letre higjenike që t'i përdorësh për nevoja personale, për t'i flakur, kur nuk të nevojiten. Nuk e pëlqejmë ligjin? Ka përsëri forma ligjore për t’i ndryshuar ato. Fatmirësisht, demokracia e ka përcaktuar që të gjitha nismat ligjore për ndryshimin e ligjeve, zhvillohen brenda parlamentit.
Meqenëse ende njerëzimi nuk ka arritur dot në konceptet e absolutes, për lirinë e vërtetë (absolute), drejtësinë e vërtetë (që pretendojnë analistët shqiptarë çuditërisht ta arrijnë në Shqipëri), atëherë detyrohet të vërë në balancë të mirën relative. Duke vënë në balancë stabilitetin dhe reformat institucionale brenda institucioneve, me lirinë absolute, apo të drejtën absolute, ende për t'u arritur, kandari ka anuar nga e para. Me një logjikë të thjeshtë, janë këto institucione, ku zhvillohet lufta për përmirësim të vazhdueshëm të ligjeve, që më pas do të sjellin reformimin e drejtësisë, rregullime ligjore, për lirinë e individit. Evropa Perëndimore e ka kuptuar prej kohësh, që asnjë ndryshim ligjor nuk mund ta realizojë jashtë institucioneve. Përmirësimi i koncepteve bazë, liria e individit, e drejta dhe rregullimi i tyre ligjor ka qenë dhe do të jetë, të paktën në demokraci, rrjedhojë e funksionimit të institucioneve dhe e dialogut politik brenda saj.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›