E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bejkush Birçe: Bariç vjen vetëm për pushime në Shqipëri

Kombëtarja shqiptare është duke kaluar një momenet tepër të vështirë si përsa i përket rezultateve të arritura gjatë tre ndeshjeve të para eliminatore, ku kuqezinjtë kanë marrë vetëm një pikë ashtu edhe përsa i përket përbërjes së ekipit. Trajneri i përfaqësueses tonë, Oto Baric ndodhet në një moment tepër të vështirë pasi vetë ka deklaruar se do të bëjë rinovimin e kuqezinjve dhe se në pranverë do të shohim një ekip tjetër, por në takimin më të afërt të kombëtares që ishte ai i 7 shkurtit kundër Maqedonisë kroati futi në fushë sërish "gardën e vjetër" që rezultoi e pasuksesshme. Pas asaj ndeshjeje u përfol se kroati ishte ankuar te drejtuesit e FSHF-së se ndaj tij ishte ushtruar presion nga dy lojtarë të vjetër të ekipit për të bërë formacionin anti-Maqedoni. Gjithashtu edhe media e ka vendosur kroatin në qendër të kritikave dhe tashmë atij i duhet që në takimin e 24 marsit kundër Sllovenisë të arrijë fitoren pasi në të kundërt rrezikon seriozisht stolin kuqezi. Ndërkohë që për momentin tepër të keq që po kalon ekipi ynë përfaqësues flet ish-trajneri i kombëtares, Bejkush Birce, i cili deklaron se skuadra luan pa asnjë lloj objektivi duke kritikuar edhe drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit që nuk i kanë përcaktuar objektiv teknikut kroat. "Mund të them se nuk e kam ndjekur ecurinë e ekipit kombëtar pasi nuk e di a ka kombëtare Shqipëria apo jo?! Ku është kjo përfaqësuese pasi unë nuk e kam parë?! Nuk i kam ndjekur takimet eliminatore dhe as lojtarët e rinj apo talentet që thuhet se do të rinovojnë ekipin. Gjithashtu nuk kam parë as grumbullimet që janë zhvilluar kohët e fundit. Cfarë t'i shikosh një kombëtareje kur ajo nuk ka asnjë objektiv të qartë në vetvete dhe luan sa për të kaluar radhën. Me këto punë merren persona të tjerë" deklaron ish-tekniku i kuqezinjve Birce. Më pas ky i fundit flet edhe për trajnerin Oto Baric duke deklaruar se ai vjen në vendin tonë vetëm për pushime dhe nuk ka asnjë lloj objektivi se ku duhet ta cojë ekipin kombëtar. "Përfaqësuesja tonë ka një trajner që e drejton, i cili vjen vetëm për pushime në Shqipëri, kalon disa ditë të mira dhe ikën sërish duke mos bërë asnjë gjë. Gjithashtu edhe Federata Shqiptare e Futbollit ka faj pasi ka vënë në krye të kombëtares një teknik që nuk i ka caktuar asnjë lloj objektivi se ku duhet të arrijë në fund të eliminatoreve, por e ka vendosur aty sa për të thënë se është një teknik i huaj dhe do të bëjë cudira. Kështu nuk vazhdohet më, por gjithsesi këto punë i dinë të tjerët dhe jo unë" u shpreh, ish-trajneri i kombëtares, Bejkush Birce. Ndërkohë, në fund të marsit përfaqësuesja do të zhvillojë dy ndeshjet e radhës, më 24 kundër Sllovenisë në stadiumin e Shkodrës "Loro Borici" dhe më 28 kundër Bullgarisë. Këto dy takime, por sidomos ai kundër sllovenëve janë shumë të rëndësishme përsa i përket ecurisë së kuqezinjve në eliminatoret e Kampionatit Europian 2008. Përfaqësuesja do të nisë grumbullimin më 18 mars, ditë kur do të vijë në vendin tonë edhe trajneri Oto Baric.
Besar Bozgo

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›